Në Kosovë deri tani vaksinën antiCOVID-19 e kanë marr rreth 21 mijë persona, ndonëse kontingjenti i parë dhe i vetëm i kësaj vaksine që ka arritur në vend është me 24 mijë doza të kompanisë AstraZeneca, e që janë siguruar si donacion nga programi COVAX.
Ky kontingjent ka arritur më 28 mars, ndërsa procesi i vaksinimit ka filluar më 29 mars, ku dozën e parë të kësaj vaksine e ka marr kryeministri Albin Kurti.
Prioritet në vaksinim kanë pasur personelit shëndetësor, personat e moshuar dhe ata me sëmundje kronike.
Nga ardhja e këtij kontingjenti Kosova ende nuk ka siguruar doza tjera të vaksinës, ndonëse ditë më parë Bashkimi Evropian ka konfirmuar se ka ndarë për Kosovën 95 mijë doza të vaksinës “Pfizer” në luftën kundër pandemisë COVID-19, por nuk është saktësuar se kur do të vijnë.
Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen me anë të një njoftimi në Twitter pati thënë se, “qëndrojmë përkrah partnerëve tanë në Ballkanin Perëndimor, siç i thashë edhe Albin Kurtit”.
“95 mijë doza të vaksinave të financuara nga BE-ja do të arrijnë në Kosovë që nga muaji maj e deri në fund të gushtit. Ne jemi këtu në këtë së bashku”, ka thënë ajo, përcjell Telegrafi.
Edhe ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas i cili ishte një ditë më parë për vizitë në Kosovë tha se gjatë javëve të ardhshme do të vijnë edhe një numër prej 100 mijë vaksinave antiCOVID në Kosovë.
Gjatë konferencës për medie, Maas theksoi se është i vetëdijshëm që kjo nuk është e mjaftueshme, prandaj theksoi se do të vazhdojnë t’i dalin në ndihmë Kosovës për të vaksinuar edhe pjesën tjetër të popullsisë.
Edhe pse është premtuar për ardhjen e kontingjenteve të reja të vaksinave, edhe ky i tanishmi ende nuk ka përfunduar, duke u vërejtur kështu një hezitim për vaksinimin.
Lidhur me këtë pati reaguar mikrobiologu Lul Raka.
Mikrobiologu Raka dozën e parë të vaksinës antiCOVID-19 e ka marr në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Kaçanik.
“Unë nuk e kam marrë më herët vaksinën sepse nuk i pata bërë pesë muaj nga infeksioni. Edhe kam dashur që vaksinën ta marrin ata që kanë më së tepërmi nevojë, pra të moshuarit. Mirëpo hezitimi i mjekëve në spitale dhe QKMF-të në krejt Kosovën për me marr vaksinën më shtyu që ta marr vet vaksinën edhe të ju tregoj që vaksina është e sigurt…”, tha Raka.
Ai më tej tha se nëse punëtorët shëndetësor hezitojnë ta marrin vaksinën atëherë ndoshta duhet ta lënë mantelin dhe të kërkojnë profesion tjetër.
Më tej mikrobiologu Raka foli rreth frikës që është në opinion rreth mpiksjes së gjakut.
Ai tha se efekte anësore mund të kenë të gjitha vaksinat por sipas tij nga kjo vaksinë mpiksje e gjakut ka ndodhur katër raste në 1 milion të vaksinuar.
Raka më tej tha se raste më të mëdha të mpiksjes së gjakut janë te duhanpirësit dhe te gratë që përdorin pilula kontraceptivë.
Lidhur me efektet e mundshme negative të vaksinës, Ministria e Shëndetësisë më 20 prill pati thënë se nuk ka pasur efekte serioze.
“Deri tash nuk ka pasur efekte te padëshiruara serioze të ndërlidhura me marrjen e vaksinës kundër COVID-19”, thuhej në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.
Koordinatori i qendrës së vaksinimit “1 Tetori”, Niman Bardhi, një ditë më parë në një konferencë për media bëri të ditur se nga momenti kur ka nisur vaksinimi i qytetarëve të Kosovës më 29 mars e deri më sot, janë vaksinuar afër 21 mijë qytetarë, derisa vetëm në qendrën e vaksinimit “1 Tetori” dozën e parë të AstraZenecës e kanë marr 5600 persona.
Ndryshe, në Kosovë më 28 mars, arriti kontingjenti i parë me 24 mijë doza të vaksinave 24.000 doza të vaksinave kundër coronavirusit, të kompanisë AstraZeneca.
Kosova këto vaksina i ka marr si donacion nga Kosova nga programi COVAX, i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Vaksina e kompanisë britanike AstraZeneca, që e ka zhvilluar në bashkëpunim me Universitetin e Oksfordit, thuhet se është 76 për qind efektive kundër sëmundjes COVID-19.