Prishtina kundrejt Dritës nuk ka pësuar humbje në katër ndeshjet e fundit, duke luajtur tre herë baras dhe duke fituar ndeshjen e fundit për Superkupë.
Dy skuadrat, jashtë kampionatit apo për Kupë, janë ndeshur vetëm tre herë, më 2002/03 Prishtina kishte kaluar tutje në gjysmëfinale pas dy ndeshjeve (2:1/1:1) dhe në finalen e Kupës më 2016 ku kishte triumfuar Prishtina, 2:1.
Në 51 përballje, Prishtina ka 22 fitore kundrejt 19 barazimeve dhe 10 fitoreve të Dritës me goldallim +27, 67:40.
Prishtina nuk ka pësuar humbje në 11 ndeshjet e fundit zyrtare në tre garat zyrtare duke arritur 8 fitore dhe 3 barazime me golaverazh, 24:7.
Sidoqoftë, statistikat nuk do të kryejnë nesër punë pa angazhimin maksimal të futbollistëve prishtinas e ku përball do të kenë skuadrën e etur për revansh nga ndeshja e Superkupës.
Prishtina përveç sulmuesit Oto John, pothuajse të gjithë futbollistët tjerë i ka të gatshëm për 18-në e nesërm.
Ramadani: “Shpresojmë të përsërisim Superkupën”
“Ndeshje shumë e rëndësishme për ne, po flas vetëm për klubin tonë, pra ndeshje që ka shumë peshë të madhe për neve. Dhe, nëse ia arrijmë të përsërisim ndeshjen e Superkupës do të ishte mirë. Por, jam i bindur që ajo ndeshje dhe kjo për Kupë do të jenë krejt ndryshe, sepse kundërshtari ka bërë analizat e saj dhe do të provoj të na bllokojë në pikat ku ne ishim të fortë. Kemi punuar maksimalisht këto ditë për ta përgatitur këtë takim dhe shpresoj në rezultat pozitiv që do të thotë të kalojmë raundin ku në një garë si Kupa e cila të dërgon në një rrugë më të shkurtër dhe të sigurt për Evropë. Për këtë qëllim do të japin maksimumin nga i pari deri te i fundit”, tha Ramadani për faqen zyrtare të klubit.
“Po, pritet të ketë ndryshime nga përbërja e takimit të Superkupës. Është rritur konkurrenca, janë rikuperuar të lënduarit dhe edhe Mankenda, i cili nuk ishte me ne në Antalya, është përgatitur maksimalisht dhe mund të na ndihmoj shumë”.
“Oto John, i takon udhëheqjes së klubit të flas më shumë për këtë rast i cili na ka befasuar të gjithëve dhe sa kam unë informata, faji nuk është as tek ne, as te John, i cili po përballet me mungesë të dokumentacionit të udhëtimit. Shpresojë sa më shpejtë të vije dhe do ta rriste edhe më shumë konkurrencën në ekip”, ka thënë kryetrajneri Zekirija Ramadani.