Edhe në 24 orët e fundit, numri i rasteve të reja me koronavirus ishte më i lartë sesa numri i pacientëve të shëruar, shkruan TelegramiSot.
Gjatë këtyre 24 orëve, nga 1951 persona të testuar për virusin COVID-19, 284 prej tyre kanë rezultuar pozitiv.
Ndërsa, numri i pacientëve të shëruar për këtë periudhë kohore ishte më i ulët (224).
Brenda 24 orëve janë raportuar 5 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Dragash 1 rast (81 vjeç), Mitrovicë 1 rast (73 vjeç), Obiliq 1 rast (86 vjeç), Pejë 1 rast (83 vjeç) dhe Podujevë 1 rast (67 vjeç).
Numri total i rasteve pozitive është 61.688 raste nga 244.950 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.519 raste të vdekjes.
Në anën tjetër, numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 53.455 raste, kurse numri i rasteve aktive është 6.714.
Shfaqja e rasteve të para me variantin e ri të COVID-19 në Kosovë ka alarmuar institucionet përgjegjëse për menaxhimin e situatës dhe vazhdimisht po apelohet të respektohen masat në fuqi.
Kosova ende nuk e ka filluar vaksinimin me vaksinat anti-Covid, por sot në Klinikën Infektive ka filluar trajtimi i pacientëve me koronavirus me plazmën e gjakut të pacientëve të shëruar.