Miley Cyrus e ka konfirmuar bashkëpunimin me këngëtaren britaniko-kosovare, Dua Lipa, në albumin e saj të ri.
Ylli i hitit “Midnight Sky” veçse i kishte ngacmuar fansat me një bashkëpunim të mundshëm me Lipën dhe ikonën e muzikës Billy Idol, kur para disa javësh e kishte postuar një fotografi nga studioja incizuese, ku ajo shihet krahas bukuroshes me prejardhje kosovare dhe producentit të njohur muzikor, Andrew Watt, njëherësh ish i dashuri i Rita Orës.
Por tani më në fund Cyrus ka treguar se në fakt, Dua Lipa dhe Billy Idol, janë pjesë e njërës prej këngëve të albumit të ardhshëm, duke mos dashur të zbulojë më shumë detaje, transmeton Koha.
Ende nuk ka datë të caktuar të lansimit të këtij projekti, por këngëtarja dhe aktorja e njohur amerikane insiston se ka punuar shumë rreth saj, dhe dëshiron që kënga të arrij ta shijojë potencialin e plotë.
Tutje Miley ka deklaruar se kënga “High” që vjen në bashkëpunim me producentin Mark Ronson, është e preferuara e saj nga ky incizim pasi është realizuar gjatë kohës kur ajo po luftonte me varësinë nga alkooli dhe drogat.
Albumi i ardhshëm i Cyrusit vjen pas atij të publikuar në vitin 2017, “Younger Now”. Në një intervistë të fundit këngëtarja ka thënë se nuk po ndihet rehat ta ndajë muzikën e saj të re me fansat, në kohën kur pandemia e koronavirusit po u merr jetën qindra mijëra njerëzve anembanë botës.