Edicioni i ri i futbollit në Kosovë nuk do të fillojë më 12 shtator, ashtu siç kishte paraparë Federata e Futbollit e Kosovës.
Vendimin për shtyrje të fillimit të sezonit 2020/2021, FFK-ja e ka marrë të martën, pas takimit që kanë pasur krerët e saj me ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj, dhe me institucionet e tjera të përfshira. Në takimin e mbajtur në MSH, përveç ministrit Zemaj, morën pjesë edhe përfaqësues të Zyrës së Kryeministrit, ministrja e Sportit, Vlora Dumoshi, drejtori i IKSHPK-së, Naser Ramadani, kryesuesi i Bordit Këshillëdhënës në luftën kundër COVID-19, Lul Raka dhe përfaqësuesit e Policisë.
Lajmin për shtyrjen për një javë të edicionit në elitën e futbollit kosovar e ka bërë të ditur të martën për KOHËN sekretari i FFK-së, Eroll Salihu. Ndërkohë është zyrtarizuar edhe nga FFK-ja, që ka njoftuar se pritet kthimi i kryeministrit në vend për të marrë vendimin për lejimin e aktiviteteve sportive.
Salihu pret që deri në fund të javës Qeveria të marrë vendim për lejimin e aktiviteteve sportive. Në mbledhje, siç tregon Salihu, është thënë se do të ketë edhe kontroll të rreptë, derisa është diskutuar që në një të ardhme të afërt të lejohet zhvillimi i aktiviteteve me shikues në numër të kufizuar.
“Përfunduam takimin dhe nga ne është kërkuar të kemi mirëkuptim për të shtyrë fillimin e edicionit. Na është thënë se posa të kthehet kryeministri Avdullah Hoti nga takimet zyrtare jashtë vendit do të merret një vendim në mbledhje të Qeverisë për hapje të aktiviteteve sportive. Dhe, zyrtarisht jemi obliguar ta shtyjmë fillimin e edicionit dhe menjëherë do t’i njoftojmë klubet për t’i vazhduar përgatitjet. Instituti ka dhënë leje dhe sugjerime, por mbetet te qeveria e vendit vendimi përfundimtar. Por, na u tha se do të ketë kontroll të rreptë në respektimin e masave dhe nëse ka thyerje të masave do të dënohet secili individ apo klub. Sigurisht se fillimi i edicionit do të luhet pa shikues. Hapja e tribunave për shikues në numër të kufizuar do të bëhet me kalimin e kohës. Ne besojmë se Qeveria do të marrë vendim të lejojë aktivitetet sportive”, ka thënë Salihu.
Vendim të shpejtë në favor të sportistëve pret edhe kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani. Madje Hasani thotë se vendimi është tashmë është i vonuar.
“Bordi këshillëdhënës, që normalisht nuk është vendimmarrës, unanimisht e ka votuar ashtu siç ne e kemi dërguar kërkesën dhe ata pastaj e kanë dërguar edhe në Qeveri dhe IKSHP, që t’i marrin parasysh vërejtjet tona. Për fat të keq mbeten si këshilla të këtij bordi ose rekomandime, por nuk u miratuan as nga ministria përkatëse. Unë besoj se dje është dashur ta marrin një vendim, e them në mënyrë figurative. Sporti ka filluar të hapet në sporte të ndryshme. Faza përgatitore e sportistëve është e gjatë dhe në qoftë se ke pushuar 2 javë duhet dy muaj për të ardhur në formën e duhur.
Artikullin e plotë mund ta lexoni në gazetën Koha Ditore. Klikoni këtu për t’u regjistruar falas.