Kombëtarja e Kosovës në futboll ka filluar dje grumbullimin e muajit shtator ku është zhvilluar edhe seanca e parë stërvitore dhe prezentë ishin disa nga futbollistët e ftuar.
Por, ky grumbullim po shihet si më i veçantë nga njohësit e futbollit, duke parë që shumë futbollistë të Kosovës do të kenë të drejtë të luajnë vetëm në ndeshjen e 3 shtatorit ndaj Moldavisë, duel ky që zhvillohet në Parma të Italisë, kurse për takimin e tre ditëve më pas ndaj Greqisë pothuajse nëntë prej tyre do të mungojë, pasi vendet e skuadrave për nga vijnë në tubim te Dardanët kanë në ‘zonën e kuqe’ shtetin e Kosovës për shkak të rezultateve me të infektuar nga COVID-19, transmeton Klan Kosova.
Sipas njërit prej trajnerëve më të trofeshëm në futbollin kosovar, Bylbyl Sokoli, Kosova është favorite ndaj Moldavisë, kurse për ndeshjen ndaj Greqisë pret fitore megjithëse mendon se grekët kanë një skuadër më cilësore se kundërshtari i parë.
“Në ndeshje kundër Moldavisë, Kosova është favorite duke pasë parasysh edhe formën e kundërshtarit në dhjetë ndeshjet e fundit. Në duelin e dytë, Kosova do të luajë ndaj Greqisë që e ka ripërtërirë ekipin, por që kanë skuadër më cilësore se moldavët. Gjithsesi në dy ndeshjet pres fitore nga Kosova”, tha Sokoli.