COVID-19 ka marrë jetën e 457 qytetarëve deri tani në Kosovë, qysh nga fillimi i shpërthimit në muajin mars.
Ky virus, që ka shuar shumë jetë, ka shkaktuar një tragjedi shumë të rëndë në familjen Ymeri nga Ferizaj ku tre anëtarë të kësaj familje e kanë humbur betejën me COVID-19.
Tre vëllezërit Ferat, Murat dhe Berat Ymeri kanë vdekur brenda një muaji, pasi nuk kanë arritur të shërohen pas infektimit nga koronavirusi.
Këtë histori të trishtë e ka bërë të ditur deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Hekuran Murati që të ndjerit i kishte familjarë.
Postimi i plotë i Hekuran Muratit në Facebook:
Tre vëllezër, kusheri të babit, të cilët virusi i mori brenda një muaji. Tre njerëz të urtë e punëtorë, ashtu siç përshkruhen nga secili që i ka njohur.
Virusi tashmë është kthyer në tragjedi për shumë familje. Sepse viktimat nuk janë vetëm statistika, por janë persona me emër e mbiemër, familjarë e prindër të dikujt.
Fjalët ngushëlluese në një tragjedi të tillë e humbin efektin. Krejt çka mund të bëjmë është të lutemi që familjet të gjejnë forcën për ta përballuar këtë situatë, me shpresën që do të vazhdojnë t’i kujtojnë veprat e mira të më të dashurve të tyre.
Pushoni të qetë kusho!