Ministria e Shëndetësisë e Shqipërisë ka bërë të ditur se në 24 orët e fundit janë kryer 932 teste, nga të cilat kanë rezultuar pozitivë 155 persona, duke vendosur rekord si për rastet e reja dhe për testimet.
Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit kanë ndërruar jetë edhe 2 persona të tjerë.
Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive ditore është si vijon: 34 raste në Tiranë, 24 raste në Durrës, 12 raste në Krujë, nga 9 raste në Korçë dhe Lezhë, 8 raste në Elbasan, nga 7 raste në Kurbin dhe Vlorë, 6 raste në Gjirokastër, 4 raste në Kukës, nga 3 raste në Fier, Kavajë, Përmet, nga 2 raste në Shkodër, Devoll, Lushnje, Mirditë, Tropojë, Mallakastër, Divjakë, Peqin, Kolonjë, Gramsh, nga 1 rast në Mat, Ura Vajgurore, Klos, Vorë, Maliq, Patos.
Në 24 orët e fundit janë shëruar 55 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 3871 , që nga fillimi i epidemisë.
Aktualisht në spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” në Tiranë po trajtohen 95 pacientë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 12 në terapi intensive nga të cilët 4 pacientë janë të intubuar.
Në dy spitalet COVID janë gjithashtu duke marrë shërbime të specializuar dhe 12 qytetarë të cilët kanë qenë pozitivë me COVID19 dhe aktualisht janë negativizuar, por po vijojnë të marrin trajtim spitalor për pasojat e sëmundjes.
Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, fatkeqësisht në dy spitalet COVID, nuk e kanë fituar dot betejën me sëmundjen dy qytetare nga Tirana, një 61 vjeçare dhe një 69 vjeçare me sëmundje bashkëshoqëruese.