Nën çatinë e një armiku të heshtur ishte strehuar Abiti në 1999-n, kur kishte ikur nga një hakmarrje e mundshme e popullatës shumicë të Kosovës, në sytë e të cilëve pas lufte druante se shihej si tradhtar dhe bashkëpunëtor i Serbisë, shtetit që kishte kryer mizori të mëdha kundër shqiptarëve. Armiku i heshtur ishte plumbi, jo ai që del nga tyta, por që emetohej nga mbetjet e gjigantit metalurgjik “Trepça”, shkruan Koha Ditore.
Abiti është rom dhe atëkohë ishte 14 vjeç. Sikurse shumica e rreth 7 mijë kosovarëve që i përkisnin këtij komuniteti dhe e përbënin lagjen buzë Ibrit në qytetin më industrial që ka Kosova, Mitrovicë, edhe ai me familje e kishin kaluar lumin për të dalë në veriun që kontrollohej nga serbët. Pjesa më e madhe e lagjes së dikurshme, por edhe romë, ashkalinj e egjiptianë nga pjesë të tjera të vendit, ishin vendosur në tri kampe, që i kishte ngritur misioni i Kombeve të Bashkuara (UNMIK), i vendosur në Kosovë menjëherë pas luftës.
“Kur na vendosën në kampin Zhitkoc në Zveçan, na thanë se do të qëndronim aty vetëm 40 ditë. Por, na mbajtën 6 vjet”, thotë Abiti. “Kemi qenë ngjit me piritin. Kur fryjke era, krejt vijke mbi neve. Kemi mendu që është vetëm pluhur, derisa vdiq një vajzë dhe thanë se i kanë gjetë plumb në gjak. U alarmun dhe bënë kontrolla te fëmijët. Krejt dolën me plumb”.
“Piriti”, për të cilin flet Abiti, ishte një kodër e ngritur nga deponimi i sterilit të Flotacionit të vjetër që ndodhet në Zveçan, qytezë disa kilometra në veri të Mitrovicës. Deponia masive është e shtrirë në një sipërfaqe prej rreth 26 hektarësh dhe, sipas të dhënave zyrtare, përbëhet nga një sasi sterili rreth 12 milionë tonë. Përbërja kimike e sterilit në Zhitkovc është e ngjashme me sterilin e Zveçanit, e cila ndodhet afër Shkritores së Plumbit dhe fare pranë i rrjedh lumi Ibër. Deponia ka sipërfaqe rreth 50 hektarë, kurse sasia e deponuar llogaritet të jetë rreth 12 milionë tonë.
Kur në fillim të vitit 2004 një vajzë katërvjeçare që banonte në kampin e Zhitkocit vdiq si pasojë e prezencës së lartë të plumbit në gjak, aktivistë romë filluan të ngrinin zërin dhe të tërhiqnin vëmendjen e mediave dhe Qeverisë. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) bëri matje për kontaminimin e zonës dhe tha se pjesa më e madhe e fëmijëve që jetonin në Zveçan dhe Mitrovicë ishin të pasigurt për shkak të kontaminimit me plumb. OBSH, Kryqi i Kuq dhe Amnesty International i bënë thirrje UNMIK-ut të evakuonte fëmijët dhe gratë shtatzëna nga kampi. Por, evakuimi nuk u bë menjëherë.
“Deri në vitin 2006 kemi qëndruar aty”, thotë Abiti, i cili nga viti 2010 jeton në një lagje në jug të Mitrovicës, në të cilën janë ndërtuar shtëpi për të zhvendosurit e dy dekadave më parë.
Në Zveçan ndodhen vetëm disa nga deponitë e “Trepçës”. E “Trepça” nuk është i vetmi ndotës i madh industrial që ka Kosova. Në mesin e tyre është edhe “Ferronikeli”, që ndodhet në Komunën e Drenasit, e edhe “SharrCemi” në Han të Elezit. Krahas tyre, edhe Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) që shtrihet në Komunën e Obiliqit, por nga ndotja e së cilës është i prekur edhe kryeqyteti.
Një raport i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit (AMMK) ka gjetur se në Kosovë janë 110 “hot-spote”, zona të ndotura të cilat janë krijuar si rezultat i veprimtarive të ndryshme ekonomike. Prej këtyre, 28 sosh janë klasifikuar si lokacione “tejet të rrezikshme”.
Mitrovica me “hot-spotin” më të madh në Ballkan
Ndryshe nga tri industritë e tjera, “Trepça” pas lufte punon me kapacitet të limituar. Por, rrezik përbëjnë mbetjet e deponuara prej dekadash nga ky gjigant metalurgjik, i cili ka qenë prodhuesi më i madh i zinkut dhe plumbit në ish-Jugosllavi, ndërkaq prej dy dekadash ka stagnuar veçmas për shkaqe politike, ngaqë qeverisja e saj bëhet nga dy menaxhmente që nuk komunikojnë mes vete – njëri i autoriteteve të Kosovës që menaxhon asetet në jug të Ibrit, e tjetri në veri që mban relacione të forta me Qeverinë e Serbisë.
Ky kompleks industrial përbëhet nga shtatë miniera të plumbit dhe zinkut, tre koncentrues, një shkritore e plumbit, një shkritore e zinkut dhe disa lokacione industriale.
Në Zveçan ndodhej shkritorja e plumbit dhe, në lokacionet ku ishin ngritur kampet – Zhitkoc, Cesminluke dhe Kablare – ende ndodhen digat ku hidheshin mbetjet, ani se në zonë është realizuar një projekt rehabilitimi. Që nga vitet ’70, lokacioni vazhdon të mbetet i kontaminuar me plumb, prezenca e lartë në gjak e të cilit ka pasoja fatale për njerëzit, e veçmas për fëmijët, organizmi i të cilëve e absorbon katërfish më lehtë këtë metal sesa ai i të rriturve.
Shumë hulumtime studiuesish, por edhe të tilla të realizuara nga OBSH, Ministria e Mjedisit, e edhe nga Drejtoria e Mjedisit në Komunën e Mitrovicës, kanë gjetur se zona të tëra të rajonit, përfshirë edhe luginat e lumenjve Ibër dhe Sitnicë, paraqesin një mjedis të ndotur nga plumbi dhe metalet e rënda.
Autoritetet lokale në Mitrovicë i përmendin ato, për të argumentuar se gjendja është alarmante.
“Parku Industrial Mitrovica është ‘hot-spoti’ më i madh në Ballkan, e ndoshta edhe më gjerë, dhe gjendja është alarmante nëse kemi parasysh faktin se gjendet në zonën urbane të qytetit të Mitrovicës”, ankohet drejtori për Mjedis në këtë komunë, Irfan Peci. “Afër 20 vjet pas luftës ende nuk janë marrë masa nga institucionet qendrore që këta afër 45 hektarë të pastrohen dhe rehabilitohen, duke marrë për bazë efektin negativ që kanë këto metale të rënda në shëndetin e popullatës së Mitrovicës, e veçmas rrezikut për sëmundje të rënda”.
Drejtori Peci i numëron pasojat e ndotjes dhe thotë se për secilën qeveri, trajtimi i këtyre mbetjeve do të duhej të ishte prioritet i parë. Prandaj, ka thënë se me urgjencë ekzekutivi duhet që të bënte eliminimin e këtij “hot-spoti”, nga i cili janë të ekspozuar “familjet që banojnë, shkollat fillore dhe të mesme, institucionet dhe bizneset”.
Parkun Industrial në Mitrovicë e përbëjnë ish-Industria e Baterive, Metalurgjia e Zinkut dhe Industria Kimike. Gjatë aktiviteteve metalurgjike dhe kimike të këtyre industrive, ato kanë krijuar edhe mbeturina të rrezikshme që janë hedhur në afërsi, në anën perëndimore të parkut dhe kufizohen edhe me lumin Sitnica.
Mbështetur në të dhënat e AMMK-së, deponia e mbetjeve industriale ka sipërfaqe prej 34.62 hektarësh, në të cilën hapësirë janë rreth 1.5 milionë tonelata mbeturina të rrezikshme. Deponia përbëhet prej katër llojeve të mbetjeve industriale: piritit dhe pirotinës; fosfogjipsit; jarositit; dhe të ashtuquajturës fundërrinë EMKO.
Në mesin e shkencëtarëve, kur flitet për mbetjet industriale, plumbi përdoret si tregues i ndotjes.
Një raport që është realizuar në vitet ’80 të shekullit të kaluar, flet për sasinë e liruar të metalit në ajër në formë të emetimit, si dhe në ujë nga shkarkimi i mbetjeve të lëngshme. Sipas tij, secilin vit “Trepça” lironte në ajër 1.2 tonë plumb, 60 tonë zink, 2 tonë kadmium dhe 6 tonë merkur. Krahas kësaj, atëkohë ishte vlerësuar se për çdo vit në ujë shkarkoheshin edhe 150 tonë plumb, 300-900 tonë zink dhe 900 tonë fluor.
Ndërkaq, një hulumtim i Bankës Botërore, i realizuar në vitet e fundit tregon se popullsia në zonën e Mitrovicës, e përbërë prej rreth 110 mijë banorësh, i ekspozohet pluhurit me përmbajtje të plumbit, prodhimeve lokale me nivele të larta të plumbit dhe ekspozimeve të tjera. Si rezultat, rreth 25 për qind e fëmijëve në Mitrovicë në vitin 2002 kishin nivele të plumbit në gjak mbi pragun prej 10 mikrogramë për decilitër. Hulumtimi kishte gjetur edhe se depozitat e plumbit nga emetimet ajrore kanë kontaminuar një sipërfaqe prej mbi 25 kilometrash katrorë. Kjo sipërfaqe mbulon Mitrovicën Veriore plotësisht dhe Mitrovicën Jugore pjesërisht, me koncentrim të plumbit në tokë rreth 450 miligramë të plumbit për kilogram të dheut, që OBSH-ja e konsideron si nivelin maksimal të pranueshëm. Në kulturat bimore, po kështu janë gjetur nivele të larta të plumbit, prej 0.1-10 miligramë për kilogram të produktit, shumë mbi kufirin e Bashkimit Evropian (BE) prej 0.1-0.3 miligramë për kilogram, varësisht nga lloji i perimeve.
Përpos Mitrovicës dhe Zveçanit, problemet mjedisore që për burim e kanë “Trepçën”, e prekin edhe Leposaviqin. Afër flotacionit në këtë qytet, ndodhen dy deponi. Njëra është aktive dhe ka rreth 3.7 milionë tonë mbetje nga flotacioni, kurse tjetra e mbyllur dhe llogaritet të ketë rreth 2.7 milionë tonë mbetje.
Autoritetet në Zveçan kanë refuzuar të flasin për problemin me ndotjen, sikurse edhe dy menaxhmentet e “Trepçës”, të cilat nuk i janë përgjigjur kërkesës për të treguar masat e planifikuara për trajtimin e mbetjeve industriale.
Fluturimi i metaleve të rënda në Drenas
Në qendër të Kosovës, në një luginë që përshkohet nga lumi Drenica, është ngritur një kodër e madhe me ngjyrë të zezë, e cila vërehet lehtas. Është në periferi të Drenasit, fare afër kompleksit metalurgjik “Ferronikeli”.
I ndërtuar në vitin 1984, ky kompleks prej më të mëdhenjve në Kosovë, bën prodhimin e hekurit dhe të nikelit. Është privatizuar në 2006-n dhe përbën impiantin e vetëm plotësisht operacional metalurgjik në Kosovë. Ai nxjerr xehe nikeli nga miniera të hapura që ndodhen në Dushkajë, Sukë dhe Gllavicë, të cilën fillimisht e përpunon në dy furra, e pastaj produkti i papërpunuar reduktohet duke shfrytëzuar heshtat e oksigjenit dhe futet në kallëpe.
Shumë vite përpara luftës, por edhe pas, në një deponi afër kompleksit janë derdhur mbetjet. Mbështetur në të dhënat e AMMK-së, deponia ka sipërfaqe rreth 24 hektarë, kurse sipërfaqja e ndikimit është dyfish më e madhe. Mesatarisht nga prodhimi gjenerohet një milion ton metra kub skorie në vit, e cila në përbërje ka dyoksid silici, monoksid magnezi, monoksid hekuri dhe monoksid kalciumi.
Është ditë përvëluese gushti, e cila e ka tharë skorien. Një erë e lehtë e merr me vete pluhurin sipërfaqësor dhe grimcave të imta që fluturojnë u jep shkëlqim dielli.
Disa studime thonë se ato përbëjnë metale të rënda dhe janë të dëmshme për shëndetin, në rast se përthithen nga organizmi. Përpos që merren nëpërmjet frymëmarrjes, në organizëm ato hyjnë edhe nëpërmjet ujit apo ushqimit, meqë gjatë reshjeve atmosferike uji që kalon nëpër skore lidhet direkt me vegjetacionin dhe me migrim më të thellë edhe me ujërat e puseve që banorët i shfrytëzojnë për pije e ujitje.
Xhavit Drenori është një aktivist politik dhe vendlindja e tij është fare pranë minierave nga ku “Ferronikeli” e ka nxjerrë xehen dhe kodrës së krijuar nga deponimi i skories. Ka vite që është vënë në ballë të betejës me këtë ndotës industrial, prej më të mëdhenjve në Kosovë.
Ai e ka çuar në gjyq Ministrinë e Mjedisit për një leje që ia ka lëshuar në fund të 2014-s kompanisë “Ferronikeli”, ka organizuar protesta edhe në Prishtinë dhe në vazhdimësi denoncon publikisht ndotjen nga ky kompleks industrial.
Gjatë komunikimit me Ministrinë lidhur me shkallën e ndotjes, një përgjigje e këtij institucioni dhënë Drenorit thoshte se nuk kishin të dhëna për cilësinë e ajrit në Drenas.
“Gjatë 2014-s nuk kemi pasur monitorim në këtë qytet”, thuhej në përgjigje.
Kjo i kishte shërbyer për të bërë padinë, meqë në fund të atij viti “Ferronikeli” ishte pajisur me Leje të Integruar Mjedisore nga Ministria, ani se Ligji për Parandalimin dhe Kontrollimin e Integruar të Ndotjes kërkonte që, për ta lëshuar atë, duhej përmbusheshin kushtet të cilat në tërësi: “garantojnë nivel të lartë të mbrojtjes së mjedisit dhe shëndetit të njeriut; sigurojnë mbrojtjen e larmisë biologjike dhe peizazhore, ajrit, ujit, ujërave nëntokësorë dhe dheut”.
Ministria kishte konsideruar se ishin përmbushur kriteret për leje, ani se nuk e kishte monitoruar fare cilësinë e ajrit atë vit.
“Unë besoj që këto kushte nuk janë respektuar gjatë procedurave të lëshimit të kësaj leje mjedisore të integruar, meqë cilësia e ajrit nuk është monitoruar fare gjatë vitit 2014”, thotë Drenori, i cili akoma ndodhet në pritje të një vendimi të organit të akuzës. “Nga informatat e deritashme, janë ndërruar tre prokurorë, por asnjëri nga ta nuk po ‘guxon’ të ngrejë aktakuzë”.
Në Ministrinë e Mjedisit nuk kanë dhënë një përgjigje në lidhje me pretendimet e Drenorit.
Një leje të re mjedisore e ka marrë “Ferronikeli”, për të derdhur skorien në një lokacion të ri. Kjo ngaqë, më nuk zë “bregu i zi”, poshtë të cilit janë arat dhe kullosat e banorëve. Tani, skoria derdhet në një lokacion tjetër, që njihet si “Dushkaja 1”, e ku ndodhen prej dekadash gropat masive të hapura nga xehja e nxjerrë e nikelit, që ndodhet mes tri fshatrash: Çikatovë e Vjetër, Dobroshevc dhe Gllanasellë.
Mes tjerash, leja kërkonte që përpara se ta derdhte skorien, operatori të ndërtonte bazamentin e deponisë me një shtresë të argjilës, e ngjeshur dhe me trashësi së paku gjysmë metri. “Ferronikeli” nuk e ka bërë këtë. Vetëm ka shtruar një gjeomembranë, dëmtimi dhe shpimi i përtejmë i së cilës është i vërejtshëm dhe përbën tregues se ky material është jorezistent ndaj peshave. Uji nëpërmjet gjeomembranës kalon në një lagunë poshtë, e cila ndodhet mbi nivelin e puseve, nga të cilat banorët furnizoheshin me ujë.
Në anën tjetër, deponia e vjetër nuk është rehabilituar. Ajo vazhdon të jetë e pambuluar me dhe. Leja kërkonte rrethojën, për të ndaluar futjen e personave të paautorizuar, si dhe futjen e kafshëve në deponi, por ajo nuk ekziston. Lirshëm shëtisnin edhe fëmijët, disa nga të cilët kullosnin bagëtitë menjëherë poshtë deponisë.
Skender Demaku është profesor i Kimisë në Universitetin e Prishtinës. Në vitet e fundit ai e ka realizuar një studim, që për qëllim ka pasur të evidentojë dhe vlerësojë përqendrimin e metaleve të rënda në tokat dhe ujërat nëntokësore, përreth kompleksit industrial “Ferronikeli”.
Studimi ka gjetur se toka në këtë zonë është e ndotur me metale të rënda, dhe e cila ka ndryshuar vetitë kimike, fizike, ujore dhe biologjike në një sipërfaqe prej rreth 100 hektarësh. Të dhënat eksperimentale kanë treguar se uji i lumit Drenica poshtë vendit ku u nënshtrohet ndikimeve të mbetjeve industriale, ka një përqendrim të lartë të metaleve të rënda, krahasuar me ujin përpara se të mbërrijë në këtë pjesë.
Problem më vete përbëjnë edhe grimcat që dalin nga oxhaqet.
“Furrat rrotulluese gjatë procesit të fërgimit lirojnë sasi të madhe të pluhurit dhe gazrave”, thotë Strategjia për cilësinë e ajrit, në pjesën referuar “Ferronikelit”. “Furrat elektrike në të cilat bëhet shkrirja e fërgesës për përfitimin e Fe-Ni metalik, lirojnë sasi të madhe të pluhurit dhe gazrave (CO, CO2, SO2, NOx) për shkak të temperaturave të larta të shkrirjes”.
Në Komunën e Drenasit kanë thënë të mos jenë të kënaqur me masat e deritashme që kompania ka ndërmarrë.
“Kompleksi ‘Ferronikeli’ është aktiviteti kryesor ekonomik për qytetin dhe ndikimet e lidhura me mjedisin do të vazhdojnë të jenë prezente, prandaj është e nevojshme të ketë masa shtesë të kontrollit për të ulur më tej ndikimin e tij në mjedis”, thuhet në një përgjigje të Drejtorisë së Planifikimit Urban dhe Mbrojtjes së Mjedisit. “Komuna dhe niveli qendror ka kërkuar nga fabrika e ‘Ferronikelit’ përmirësimin e teknologjisë së prodhimit, ndërrimin e lëndëve djegëse, rehabilitimin e deponive industriale dhe revitalizimin e zonës. Po ashtu ka kërkuar të respektojë zbatimin e masave për zvogëlimin e zhurmës, përmes ngritjes së barrierave kundër zhurmës dhe rripit të gjelbër”.
Në “Ferronikel” nuk i kanë kthyer gazetës përgjigje në një varg pyetjesh që ndërlidhen me deponitë dhe ndotjen. Ndërkaq, në uebfaqen e kompanisë ka një link që flet për mjedisin. Sa i takon ajrit, theksohet se “Ferronikeli” ka bërë modernizimin e të gjithë filtrave në fabrikë. Ndërkaq, sa i takon ndotjes së ujit dhe tokës, aty shkruan se kohët e fundit janë ndërtuar baseni i sedimentimit dhe ndarësi i vajrave, në mënyrë që të trajtohen ujërat atmosferike.
Termocentralet, rekordmene evropiane për ndotjen
Më shumë se në Drenas, problem me tymin kanë banorët e Obiliqit, në territorin e së cilës komunë operojnë dy termocentrale – “Kosova A” dhe “Kosova B”, e të cilat funksionojnë nën kupolën e KEK-ut. Ndotja nga to atakon ajrin në një hapësirë shumë të gjerë dhe prek edhe Prishtinën e Fushë-Kosovën.
Dita e dytë e shtatorit ka zbardhur me një çati të zezë mbi Obiliqin. Një nga oxhaqet e termocentralit gati 60-vjeçar nxirrte një tym futë të zi, i cili pas një ngjitjeje jo shumë metra larg, ka krijuar një re të hollë të shpërndarë njëtrajtshëm sipër qytetit.
Ministri në largim i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, jep një shpjegim publik, pasi në rrjete sociale shumë qytetarë shprehën brengën për atë që po shihnin.
“Nga KEK-u kuptova që ky tym ndodh për shkak të pastrimit të kazanit të bllokut A3, i cili për 4 muaj ka qenë në remont dhe tani, pas përfundimit të remontit dhe para fillimit të punës, duhet të bëhet pastrimi i cili zgjatë për 4 ditë me rreth 3 orë në ditë”, deklaroi Lluka, i cili i luti qytetarët në rajonin e Obiliqit që gjatë kësaj kohe të kufizonin daljet në ambiente të hapura. “Është proces i pashmangshëm për teknologjinë e vjetërsuar të këtij termocentrali”.
Oxhaqet e termocentralit “Kosova A” kanë nisur të tymosin që në vitin 1962, kur është ngritur blloku i parë nga pesë sish sa ka ai, tre prej të cilëve janë jashtë funksionit. Pas një presioni ndërkombëtar për t’i dhënë fund ndotjes enorme të këtij dinozauri, autoritetet kishin dhënë zotimin për ta mbyllur atë më së largu në 2017-n. Kjo s’është bërë, shkaku i hendekut midis kërkesës për energji elektrike dhe asaj që prodhohet. Prandaj, mbyllja e tij tani lidhet me kohën kur të nisë punën “Kosova e Re”, një termocentral që ende nuk i janë vënë themelet.
Kësisoj, me arnime të shpeshta mbahet gjallë termocentrali i vjetër, i cili, krahas dritave, Kosovës i ka dhënë edhe një rekord të zi.
Health and Environment Alliance (HEAL) është një organizatë kryesuese jofitimprurëse në BE, e cila preokupim kryesor ka ndikimin e mjedisit në shëndet. Dy vjet më parë ajo ka nxjerrë raportin: “Fatura e papaguar shëndetësore – Si na sëmurin neve termocentralet me qymyr në Ballkanin Perëndimor”. Dokumenti tregon rekordin që mbajnë termocentralet e Kosovës.
“Ndotësit e emetuar, më të dëmshmet për shëndetin janë grimcat PM2.5. ‘Kosova A’ dhe ‘Kosova B’ janë emetuesit më të mëdhenj në Evropë me një total prej 7.500 tonësh PM2.5 në vit. Këto njësi emetojnë katër herë më shumë PM2.5 sesa shumica e termocentraleve me qymyr në Ballkan dhe rekordin e emetimeve e mban njësia 5 e termocentralit ‘Kosova A’ që emeton nëntë herë më shumë PM2.5 sesa mesatarja e termocentraleve të Ballkanit”, thuhet në raport. “Termocentrali ‘Kosova B’ është një prej emetuesve më të mëdhenj të gazeve NOx në Ballkan, me 14.520 tonë në vit. Termocentrali emeton tri herë më shumë NOx sesa mesatarja e termocentraleve të Ballkanit”.
Kosova ka rezervën e pestë më të madhe në botë të qymyrit, lëndë djegëse kjo që konsiderohet si më e ndotur fosile. Pikërisht atë, termocentralet e përdorin si lëndë djegëse. Dhe, pavarësisht kësaj, në planet e Qeverisë është ngritja e një termocentrali të ri.
KEK-u ka operuar për shumë dekada me dy termocentralet, por edhe me minierat e Bardhit dhe Mirashit, pa kontroll adekuat mjedisor dhe pa plane për operime të qëndrueshme dhe mbyllje të minierave pas shterjes së tyre. Për pasojë, fshatra të tëra janë kthyer ose në gropa nga ku është nxjerrë qymyri, ose në deponi ku është vendosur hiri.
Fitore Hashani është drejtoreshë për Mbrojtje të Mjedisit në Komunën e Obiliqit. Ajo tregon se si afektohet mjedisi nga termocentralet.
“Niveli i lartë i emetimeve të gazrave me përqendrim të madh të materieve acidike, pluhurit dhe vetëndezja e thëngjillit, shkakton ndotje të madhe të ajrit. Mostrajtimi i ujërave nga procesi teknologjik, ujërave që rrjedhin nga minierat sipërfaqësore, gjendja jo e mirë e rezervarëve në zonën e gazifikimit dhe shpëlarja e tokës nga të reshurat atmosferike, në tërë zonën e KEK-ut, e cila gjatë kohës është ndotur me fenole, shkakton në masë të madhe ndotjen e lumit Sitnica, me theks të veçantë me fenole”, thotë drejtorja Hashani. “Problem shtesë gjithashtu është edhe deponia e hirit e termocentralit ‘Kosova B’, si dhe gropat e hapura gjatë mihjeve sipërfaqësore për eksploatimin e thëngjillit. Gjatë procesit të djegies së qymyrit, shkaktohet emetimi i ndotësve të njohur, si pluhur fluturues, thërrmija të pluhurit, SO2, NOx, blozë, etj.”.
Deri në vitet e fundit, banorët në kryeqytet nuk dinin se sa e lartë ishte ndotja, pjesa më e madhe e së cilës shkaktohet nga termocentralet. Por, kur Ambasada e SHBA-së filloi të maste cilësinë e ajrit dhe lëshoi të dhënat në kohë reale në internet, ata u alarmuan. Panë se si, që nga vjeshta e vonë e deri në pranverën e hershme, Prishtina ndodhet në garë me Pekinin për statusin e kryeqytetit më të ndotur në botë.
Në KEK-janë të vetëdijshëm se operojnë me stabilimente të teknologjisë së trashëguar, e cila nuk ishte dizajnuar të jetë miqësore ndaj mjedisit. Por, në këtë korporatë thonë se ndotja nga impiantet e saj është zvogëluar në nivelet më të ulëta që nga fillimi i operimeve të tyre. Mbështetur në të dhënat që kjo korporatë ia ka ofruar gazetës, cikli i investimeve mjedisore kap shumën prej mbi 60 milionë eurosh.
“Në bazë të monitorimeve të vazhdueshme të zhvilluara nga KEK-u dhe nga institucionet e tjera të pavarura, shkarkimet në ajër nga tymtari në termocentralin ‘Kosova B’ janë në kufi të atyre të projektuara gjatë instalimit, ndërsa në termocentralin ‘Kosova A’, falë investimeve në Elektrofiltra, emisionet e pluhurit tashmë janë në kufi me standardet e BE-së”, ka thënë Skender Bucolli, drejtor për informim në KEK, sipas të cilit është eliminuar edhe shkaktari i 80 për qind të ndotjes – bartja e hirit të thatë përmes shiritave. “Me përfundimin e projektit për bartjen hidraulike të hirit nga termocentralet ‘Kosova A’ dhe ‘Kosova B’, i gjithë hiri bartet përmes gypave në mënyrë hidraulike (ujë/hi përpjesa vëllimore 1 me 1) në gropat pasive të minierës sipërfaqësore të Mirashit. Këto gropa më pastaj dizajnohen dhe mbulohen me djerrinë (dhe) nga Departamenti i Ri-kultivimit të KEK-ut”.
Tjegullat ngjyrë hiri në Han të Elezit
Tjegullat e shtëpive në Han të Elezit janë njëngjyrëshe. Nuk ka ndonjë politikë lokale që ua ka imponuar banorëve t’i bëjnë uniforme, por të hirta janë bërë nga pluhuri i fabrikës së çimentos, që prej më shumë se 80 vjetësh operon në zemër të qytetit.
I themeluar në 1936 dhe i privatizuar para nëntë vjetësh, “SharrCem” është prodhuesi i vetëm dhe furnizuesi kryesor i çimentos në Kosovë. Çimentoja, si produkt përfundimtar, përfitohet nga një proces që e shoqërojnë dhjetë hapa dhe rezulton nga bluarja e një kombinimi të klinkerit, gjipsit dhe materialeve të tjera natyrale dhe artificiale.
Në kompani janë të vetëdijshëm për ndotjen.
“Procesi i prodhimit të çimentos ndikon në mjedis. Operacionet e ‘SharrCem’-it varen shumë nga përdorimi i burimeve natyrore. Jemi të vetëdijshëm për ndikimin tonë në natyrë”, thuhet në uebfaqen e kompanisë, por në të cilën theksohet se kujdesi ndaj mjedisit është një nga prioritetet e tyre. “Pluhuri, zhurma, rrezikimi i sigurisë, ndryshimi i pamjes nga përdorimi i lëndëve të para, emetimet në ajër, konsumimi i energjisë dhe ujit janë çështje që lidhen me performancën e përditshme. Për këtë arsye, ne marrim përsipër veprime që reduktojnë ndikimin tonë operacional mbi mjedisin”.
Grimcat PM10, oksidet e azotit, dyoksidi i sulfurit, monoksidi i karbonit dhe dyoksidi i karbonit janë emetimet primare gjatë prodhimit të çimentos, tregon një raport i Bankës Botërore, e i cili thekson edhe se emetohen edhe sasi të vogla të përbërjeve të paqëndrueshme organike, amoniaku, klori dhe kloridi i hidrogjenit. Emetimet e rrezikshme mund të përfshijnë edhe materialet e mbetura nga karburantet dhe lënda e parë apo produktet me djegie jokomplete.
Autoritetet lokale thonë se pas intervenimit në filtra, emetimet e pluhurit janë reduktuar dukshëm, por ankohen se edhe më tutje, “SharrCem” vazhdon të mbetet një nga ndotësit më të mëdhenj të ajrit në Han të Elezit.
“Ende mbetet shqetësuese pluhuri me ndikim jashtë fabrike, si rezultat i mbajtjes së repromaterialeve në hapësira të hapura, pluhuri nga halla e klinkerit, si dhe pluhuri trasient, që në fakt është totali i grimcave të pluhurit nga burime jo të përcaktuara, e të cilat ndërlidhen me aktivitete dhe kushte të caktuara siç janë: transportati i materialeve, pastrimi, mirëmbajtja, era etj. Po ashtu, tepër shqetësuese për qytetarët e Hanit të Elezit është një erë shumë e keqe dhe kundërmuese, e cila kohë pas kohe vjen nga ‘SharrCem’, për të cilën ne besojmë se buron nga përdorimi i lëndëve jocilësore të djegies”, thotë Daci. “Lidhur me këtë, ne kemi kërkuar sqarime edhe nga ‘SharrCem’ dhe kryeinspektori i mjedisit në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, mirëpo gjer sot nuk kemi asnjë lloj përgjigjeje”.
Në Ministri dhe as në “SharrCem” nuk kanë folur për këtë, me gjithë insistimin e gazetës.
Sa u përket veprimeve të kompanisë, por edhe autoriteteve qendrore lidhur me reduktimin e ndotjes, në Han të Elezit kanë thënë të jenë pjesërisht të kënaqur. Ndërkaq, kanë shprehur shqetësimin për efektet e ndotjes në shëndetin e popullatës.
“Ne mendojmë se janë bërë vonesa në kohë në implementimin e projekteve të cilat ndërlidhen me reduktimin e ndotjes. Po ashtu, ‘SharrCem’ ka ende punë për të bërë në mënyrë që ndotja të reduktohet në standardet e lejuara dhe konform lejes së integruar mjedisore, me të cilën është pajisur në vitin 2014”, thotë drejtori Daci. “Ndotja nga ‘SharrCem’, edhe pse është në nivele më të vogla se viteve të mëparshme, ende sipas mendimit tonë, përbën kërcenim serioz për shëndetin e qytetarëve, sidomos nëse kemi parasysh shpeshtësinë e sëmundjeve të organeve të frymëmarrjes, si dhe sëmundjeve kancerogjene”.
Ndotja dhe vdekjet që fshihen
Emërues i përbashkët i të gjithë ndotësve industrialë është rrezikimi i shëndetit të popullatës së ekspozuar ndaj tyre.
Bazuar në raportin e HEAL-as, vetëm dy termocentralet ekzistuese me qymyr krijojnë deri në 352 milionë euro në vit kosto shëndetësore, nga të cilat 169 milionë euro rëndojnë mbi popullatën brenda rajonit. Kosto e lartë shëndetësore shkaktohet edhe nga “Trepça”, “Ferronikeli” e “SharrCemi”.
Në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike tregojnë që pasojat shëndetësore varen nga lloji i ndotësit, doza e tij, kohëzgjatja e ekspozimit dhe nga rruga e depërtimit të tyre në organizëm – ajri, uji, ushqimi. Kanë treguar edhe për grupet më të cenueshme e edhe për sëmundjet që për burim kanë këta ndotës.
“Kategoritë më të ndjeshme janë të moshuarit, fëmijët, të sëmurët kronikë, shtatzënat, të varfrit dhe personat me imunitet të komprimituar”, thotë Era Pireva, zyrtare për informim e këtij Instituti. “Sëmundjet më të shpeshta që shkaktohen nga ndotja industriale (si një ndër shkaqet) janë sëmundjet e sistemit respirator (bronhiti kronik, astma bronhiale, emfizema, pneumonia, asbestoza etj.), sëmundjet e sistemit kardiovaskular (sëmundje të zemrës, anemia), sëmundjet malinje, çrregullimet nervore, dobësim i të parit, sëmundjet alergjike, pastaj vërehet ngecje në rritje dhe zhvillim të fëmijëve, rritje e numrit të fëmijëve të lindur para kohe dhe me peshë të vogël, etj.”.
Megjithëkëtë, nuk ka të dhëna që flasin për sëmundje specifike të banorëve afër këtyre ndotësve. Kjo meqë, sipas Pirevës, nuk ka hulumtim specifik për këto zona.
Në këtë Institut nuk kanë të dhëna as mbi vdekshmërinë si pasojë e ndotjes.
Megjithëkëtë, është një raport i Bankës Botërore që flet për to. Ai është bazuar mbi një hulumtim substancial shkencor, por që kufizohet në ndikimet në shëndetin publik nga ndotja e ajrit dhe në veçanti nga grimcat PM.
“Në bazë të koeficienteve ekspozim/reagim, koncentrimet vjetore të PM në ajrin e ambientit, dhe të dhënat për popullsinë e ekspozuar, ndotja e ajrit në viset urbane në Kosovë llogaritet se shkakton 835 vdekje të parakohshme”, thuhet në studim.
Auditori i Përgjithshëm ka gjetur se autoritetet kosovare fshehin shkallën e ndotjes.
“Parametrat e rrezikshëm për shëndetin e njeriut që janë evident në vendin tonë, PM10 dhe PM2.5 (grimcat e pluhurit), nuk janë raportuar mesatarisht 4.2 muaj gjatë vitit 2017, që nuk është pak veçanërisht nëse janë muaj të dimrit (muaj kur këta parametra arrijnë vlera maksimale)”, thuhet në një raport të 2018-s. “Pavarësisht raportimit të mangët, në ato raste kur është raportuar, janë regjistruar tejkalime alarmante të parametrit PM10 që kanë arritur deri në 400 për qind tejkalim”.
Në këtë dokument është theksuar edhe se ndotësit industrialë kontraktojnë kompani për të bërë matjen e emisioneve që lirohen në ajër, për çka janë të obliguar të raportojnë në AMMK në baza mujore. Kompanitë e kryejnë monitorimin përgjatë një dite të muajit që e caktojnë vetë dhe kjo metodologji, sipas Auditorit, rezulton me “të dhëna indikative dhe jo reale”.
Indiferencë dhe fshehje realiteti ishte treguar edhe nga ndërkombëtarët, gati dy dekada më parë.
Në vitin 2000, raporte të brendshme të UNMIK-ut tregonin kontaminim nga plumbi në terrenin e zonës ku ndodheshin kampet e të zhvendosurve, sikur ai në Zhitkoc. Katër vjet më vonë, OBSH-ja kishte konstatuar prezencë të lartë plumbi në gjakun e banorëve të kampeve dhe kishte kërkuar me forcë nga UNMIK-u që të evakuonte menjëherë fëmijët dhe gratë shtatzëna. Zhvendosja kishte filluar tek në 2010-n.
Në 2016-n, një panel këshillëdhënës për të drejtat e njeriut ka botuar një opinion, në të cilin i kishte rekomanduar OKB-së të kërkonte falje publike dhe t’u paguante kompensim viktimave të kampeve. OKB-ja nuk e ka bërë këtë, por një vit më vonë, Sekretari i Përgjithshëm i kësaj organizate ka krijuar një fond mirëbesimi vullnetar për projekte asistence të komunitetit, për t’i dhënë dorë “më gjerësisht komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptiane”. Nuk kishte përmendur kompensime individuale.
UNMIK-u tani nuk ka dhënë shpresë se do të ndodhë kompensimi meritor për të prekurit nga ndotja.
Sanam Dolatshahi, zëdhënës i këtij misioni, thotë të kenë vazhduar përpjekjet për mobilizimin e resurseve vullnetare në fondin e mirëbesimit në mbështetje të këtyre komuniteteve. Në fond, tek sivjet është derdhur një shumë simbolike.
“Në maj të vitit 2019, në këtë fond të mirëbesimit është pranuar një kontribut fillestar prej 10.000 dollarësh amerikanë”, thotë Dolatshahi. “Kombet e Bashkuara mbesin të angazhuara në përpjekje për të realizuar më shumë kontribute në këtë fond dhe, në këtë drejtim, presin përkrahjen e plotë të shteteve anëtare”.
Abiti i kishte 14 vjet kur ishte strehuar në kampet e kontaminuara në Zveçan. Ai përmend emra njerëzish që beson të kenë vdekur shkaku i ekspozimit ndaj mbeturinave të “Trepçës”. Por, njeh edhe shumë bashkëmoshatarë që ato pasoja i vuajnë edhe tani.
Ka një arsye tjetër që Abitin e bën të jetojë me brengë për të ardhmen.
“E kemi harru veten. Dikush na ka thënë se pasojat e kontaminimit mund t’i shohim te fëmijët që i lindim”, thotë ai. “Shumë frikohem”. /Koha Ditore/