Ministrja e Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka njoftuar se Italia do të dërgojë një ekip ushtarak-mjekësor në Kosovë për të ndihmuar në luftën kundër COVID-19.
Ajo tha se për këtë e ka falënderuar përzemërsisht shtetin italian dhe se po ashtu ka kërkuar që ky vend të jetë përkrahës për heqjen e vizave kosovarëve, njofton Klan Kosova.
“Zhvillova një telefonatë shumë përmbajtjesore me Ministrin e Jashtëm të Italisë, Luigi Di Maio. Shpreha mirënjohjen time për kontributin e Italisë në shtetndërtimin e Kosovës, si partner strategjik, veçanërisht në aspektin e ruajtjes së paqes dhe sigurisë në vend përmes komandës së KFOR-it”.
“Ministri Di Maio, më konfirmoi që do të dërgojë një ekip ushtarak-mjekësor nga Italia në ndihmë Kosovës në luftën anti-COVID-19, për këtë akt fisnik e falënderova përzemërsisht”.
“Kërkova nga homologu italian që Italia të vazhdojë të jetë zë përkrahës për të drejtën e Kosovës për lëvizjen pa viza, tani që me të drejtë presim përmbylljen e këtij procesi”.