Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, i ka lutur të gjithë deputetët që të mbështesin Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike, në mënyrë që të miratohet para se Kuvendi të shkojë në pushim veror, raporton Express.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Hoti ka thënë se janë në rrugë të mbarë për të mobilizuar shumën prej 1.2 miliard euro për rimëkëmbje ekonomike.
“Programi për rimëkëmbje ekonomike financohet nga tre burime: (1) mjetet nga buxheti i rregullt, (2) marrëveshjet ndërkombëtare dhe (3) ligji për rimëkëmbje ekonomike. Dy të parat tanimë janë miratuar, për të cilën gjë jam falënderues ndaj të gjithë deputetëve. Me buxhetin e vitit 2021, do të zhvillohen masa të tjera dhe do të vazhdojnë disa nga masat ekzistuese, si dhe do të identifikohen instrumente financiare shtesë për të mbështetur rimëkëmbjen ekonomike”, ka shkruar Hoti.