Biznesmeni Rasim Smajlaj ka reaguar për harmoninë fetare ndër shqiptarë, duke bërë thirrje për ruajtjen e vëllazërisë dhe kundërshtuar çdo ideologji që, sipas tij, përdor fenë për të përçarë shoqërinë.
Smajlaj, përmes një reagimi publik, thekson se shqiptarët, pavarësisht përkatësisë fetare, kanë të përbashkët gjakun, gjuhën, historinë dhe identitetin kombëtar.
“Unë jam mysliman dhe këtë besim e respektoj. Por kurrë nuk kam hequr dorë nga vëllezërit e mi katolikë. Përkundrazi, i kam parë gjithmonë si pjesë të së njëjtës familje shqiptare”, shprehet ai.
Ai thotë se mbështet harmoninë fetare si një prej trashëgimive më të çmuara shqiptare, ndërsa kundërshton islamin politik, islamofobinë dhe çdo formë fanatizmi fetar.
“Feja është e shenjtë kur është zgjedhje e zemrës dhe bindje e individit. Ajo bëhet e rrezikshme kur kthehet në armë kundër vëllait”, thekson Smajlaj.
Sipas tij, secili shqiptar duhet të ketë të drejtën të besojë atë që dëshiron, duke respektuar të njëjtën të drejtë edhe për tjetrin.
“Unë nuk dua një shqiptar më pak mysliman apo një shqiptar më pak katolik. Dua një shqiptar më shumë shqiptar”, shkruan ai.
Në fund, Smajlaj e përmbledh mesazhin e tij me një apel për bashkim:
“Bajrami le të jetë Bajram, Pashkët le të jenë Pashkë, por vëllazëria shqiptare le të jetë mbi të gjitha.”














