Një incident i rëndë është regjistruar të shtunën në Junik, ku kandidati për kryetar komune nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Agron Kuqi rreth 55-vjeçar, dyshohet se është kanosur përmes telefonit nga një person që tashmë është arrestuar nga Policia.
Sipas informatave të siguruara nga Sinjali, rasti ka ndodhur më 18 tetor 2025, rreth orës 12:00, në lagjen Berishë të Junikut. I dyshuari, Avdyl Sylë Maloku rreth 37-vjeçar, dyshohet se ka kërcënuar Kuqin me fjalë të rënda, duke i shkaktuar ndjenjë frike dhe pasigurie në prag të zgjedhjeve lokale.
Menjëherë pas raportimit të rastit, Patrulla Policore e Stacionit të Junikut ka dalë në vendngjarje dhe ka kontaktuar me viktimën, të cilin e ka shoqëruar në stacion për dhënie deklarate.
Ndërkohë, policia nuk e ka hasur të dyshuarin në shtëpi, por pas kontaktimit telefonik ai është paraqitur vetë në stacion, ku është marrë në pyetje.
Në Junik kanë arritur edhe zyrtarët e Njësisë së Hetimeve Rajonale, të cilët po merren me zbardhjen e plotë të rastit.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa rasti është iniciuar për veprën penale “Kanosje”.
Hetimet po vazhdojnë nën mbikëqyrjen e Prokurorisë Themelore të Pejës.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.