Nga Dr Sadri RAMABAJA
Përvjetorët e rënies së shokëve tanë në rrugën drejt Lirisë do të duhej të ishin një lloj STACIONI pushim dhe reflektim. I tillë gjithësesi do të duhej të ishte edhe ky i 40 vjetorit të rënies së Nuhi Berishës dhe Rexhep Malës. Të tillë e kam konceptuar unë në këtë kumtesë timen me karakter më shumë memorial.
Fryma reflektuese do ta përshkojë edhe këtë kumtesë timen që dua t’jua lexoj sot edhe për faktin se jam njëri nga bashkëveprimtarët e Nuhi Berishës.
Por para se të filloj, dua që publikisht t’i shprehu mirënjohje kryetarit të Komunës, Kadri Rrahimit, për mbështetjen e organizimit të Flakës së Janarit, e para së gjithash shokut tim të ilegales, pjesë e grupit “Para Agimit”, Sinan Sadikut dhe Nexhat Rexhës që më ftuan enkas dhe më ngarkuan me këtë obligim.
Në frymën që kishte reflektuar shënimi i 100 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, në vitin 1978, në gjimnazin tonë “9 Maji”, sot “Ismail Qemajl”, në shtatorin e vitit 1978, me iniciativën e Sylejman Sylejmanit, nipit të Sylë Zarbicës, Mihane Sadikut dhe Ilmi Cakollit ishte krijuar grupi i parë i rinisë atdhetare “Para Agimit”. Pjesë e tij, nga janari i vitit 1979 isha edhe unë. Ndërkaq një vit më pas grupit do t’i bashkohej edhe Sinan Sadiku, Ibrahim Ismaili dhe një varg ish bashkëmoshatarësh tanë.
Kjo frymë shtrihej gjithandej në Kosovë, gjithësesi edhe në Gjilan, aty ku ishte rritur e formuar si atdhetar Nuhi Berisha, ndërkaq pranvera e vitit 1981 atij do t’i jap përmasat e revolucionarit në formim. Ai kishte fatin që në rrethin e ngushtë familjar, kishte korifeun e mendimit revolucionar dhe njërin nga organizatorët më të shkëlqyer të ilegales – Kadri Zekën.
Për rrjedhën e zhvillimeve në gjimnazin tonë, kur u njoha me Nuhiun, në fillim të vitit 1982, ai meqë ishte I njoftuar paraprakisht, fliste me pietet dhe mirnjohje për bartësit e atij aktiviteti.
Shkas i njohjes sonë ishte pikërisht ajo veprimtari në kuadër të grupit “Para Agimit” dhe gjithësesi ndërlidhja e tij me Ahmet Isufin, që unë e kisha njohur gjatë kohës, kur të dy po kryenim shërbimin ushtarak në Zagreb [në periudhën tetor 1980-shtator 1981].
Lexo Edhe:
1 lugë para gjumit dhe do të humbni 15 kg në 17 ditë
Mediumi i Vuçiqit sulmon avokatin e Sanduloviqit që paralajmëroi se do te …
Kjo njohje do të jetë edhe një mundësi që unë të jem njëri nga vazhduesit e aktivitetit të grupit “Para Agimit”, por tani në kuadër të strukturës së bashkuar – Lëvizjes për Republikën e Kosovës, që ia kishin arritur ta krijonin më 17 janar 1981 në Untergrubenbach [afër Shtutgardit]: Kadri Zeka, Jusuf Gërvalla dhe Ibrahim Kelemendi.
Përmes Nuhiut ne kishim fatin që të ishim ndër bartësit e parë të aktivitetit të kësaj organizate brenda në Kosovë.
Ishim përfshirë të gjithë ndërkohë në organizimin e përvjetorit të parë të demonstratave të 11 marsit [1982]. Në ballë të këtij organizimi ishte Nuhi Berisha.
Paraprakisht u konsultuam dhe ndamë detyrat tok si celulë që ishim: Nuhi Berisha, Ahmet Isufi dhe unë. Shpërndamë traktin që ishte pregaditur për këtë përvjetor gjithandej – në Prishtinë dhe qendra tjera të Kosovës.
Më pas gjatë vitit 1982 do ta takoja Nuhiun më shpesh e më gjatë, me ç’rast do të shkëmbejmë mendimet në banesën ku ai ishte ilegal, në rrugën Adriatiku, fare pranë Parkut të qytetit.
Por takimi më i përzemërt dhe më i paharruar për mua gjithësesi mbetet ai në pritjen e vitit të ri 1983. Paraprakisht Ahmeti më kishte kërkuar ta siguroja një banesë, ku do ta kalonim natën e vitit të ri bashkë me Ismetin, ky ishte pseudonimi i Nuhiut në atë kohë. “Nuk mund ta lëmë vetëm Ismetin këtë natë”, më tha Ahmeti në takimin që kishim në ambientet e Universitetit, respektivisht Fakultetit Filozofik, ku ndiqnim ligjëratat herë pas herë bashkë.
E kisha menduar si banesën më të përshtatshme për këtë natë, atë të dy anëtarëve të celuës sime që kisha krijuar ndërkohë – me Emin Azemin dhe Ahmet Hasanin. I pari student i letërsisë, tani i njohur si publicist e shkrimtar në Maqedoninë Veriore, ligjërues në Universitetin e Europës Juglindore dhe kryeredaktor i revistës letrare Juvenilia, ndërkaq i dyti student i Makinerisë, tani inxhinjer, njëri nga bartësit e aktivitetit të dendur politik në LPK-në në vitet 1987/88
Atë natë njoha më shumë anën njerëzore të Nuhiut, por edhe vendosmërinë për ta vazhduar aktivitetin për Lirinë e Kosovës. Nuk bëmë gjumë fare, na gdhiu mëngjesi duke biseduar dhe shkëmbyer pikëpamje, duke bredhë herë në letërsi e herë në histori, duke kaluar nga mendimi juridik e filozofik tek ai i politikës aktuale.
Jo vetëm atëherë, si shok e bashkëveprimtarë, por edhe kur ai do t’na mungojë fizikisht, e kam vlerësuar jashtmase Nuhiun si Njeri dhe si Revolucionar. Jam i bindur se ai mbetet njëri nga revolucionarët shqiptar më të spikatur të historisë së re të Kombit tonë dhe gjithësesi, tok me Rexhep Malën, pararendësit e UÇK-së.
Nuhiu ishte një natyrë e butë në esencë, tepër skofjarë dhe shumë i dashur për shokët. Bënte ç’mos, tej mase, të kryente misionin të cilin ia kishin ngarkuar drejtuesit e LPK-së, që atbotë vepronte nën siglën LRSSHJ, të ciën ia kishin imponuar komplotistët që kishin penetruar brenda saj.
Nuhiu ishte një revolucionar i lindur. Kishte një kod njerzor autentik, që i buronte nga ADN-ja e tij prej malësori [ai ishte i lindur më 3 tetor 1961 në Sfircë], që për nga linja e gjakut vinte nga stërgjyshi i tij, i fundmi i besimit të krishterë – Sferkë Berisha, përndryshe vëllai i stërgjyshit tim, Prekë Berisha [brezi i nëntë]. Këtë fakt e kam mësuar më vonë, që gjithësesi ma ka bërë Nuhiun edhe më të dashur.
Nuhiu ishte një figurë për shumëçka atipike. Ai admironte Vojo Kushin, por fliste me pietet edhe për Emin Durakun e Hajdar Dushin, dy drejtuesit real të Lëvizjes Antifashiste në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore, të cilëve historiografia jonë ju detyrohet shumë. Dhe këtë e bënte sepse respektonte deri në përunjësi të VËRTETËN HISTORIKE.
***
Në muajin prill të vitit 1982, Nuhiu kishte marrë vendimin që përkohësisht të largohet nga Kosova, duke ju shmangur valës së arrestimeve që kishte pasuar nga ana e UDB-së, por edhe për të kontaktuar drejtuesit e LRSSHJ-së në Zvicër.
Ky udhëtim nuk do të ishte i vetmi dhe as i fundit.
Në takimin e fundit me Nuhiun, pas kthimit nga Zvicra, në mars të 1983, vetëm dy javë para se të arrstohesha unë, ia kam thënë shqeto, natyrisht si shoku-shokut, se, kthimi i tij ishte i gabuar. Gjykoja se ai i duhej i lirë Kosovës dhe Lëvizjes, qoftë edhe jashtë, më shumë se sa brenda ilegal ose në burg, sidomos në atë kohë kur ai mund të zëvendsohej më lehtë nga ne që ishim më pak në sy të Shërbimit sekret.
“Kështu rrezikon veten, por na rrezikon edhe ne”, ia thashë atë buzë mbrëmje tek po bisedonim duke ecur bri hekurudhës, në Arbëri, tek Fabrika e tjegullave. “Ti do të duhej të qëndroje e të veproje në emigracion, natyrisht edhe duke ardhur për kohë të shkurtër, nëse do ta kërkonte nevoja”. Prezent ka qenë Ahmet Isufi, meqë ishte takim i celulës.
Më vonë e kam mësuar saktësisht se në ç’nivel të organizimit ka qenë atbotë organizata jonë ku militonim [LPK-ja e konvertuar në LRSSHJ] dhe pse Nuhiu mori vendimin të kthehej dhe të vepronte në Kosovë.
***
Prilli i vitit 1983 gdhiu i shoqëruar nga një furtunë e rreptë ere e shoqëruar me një shqotë të pazakontë disaorëshe, që do të pasohej nga një valë e madhe arrestimesh gjithandej në Kosovë.
Më 1 prill ishte arrestuar Ahmet Isufi, ndërkaq më 4 prill 1983 katër udb-ashë shqipfolës, bashkëvendas tanë, ia kishin mësy Prishtinës, lagjes ku banoja, në rrugën që sot mbanë emrin Gazmend Zajmi, ku do t’më arrestonin në mënyrën më spektakolare të mundshme, duke trishtuar kalimtarët e rastit.
Në burgun e Gjilanit do më shpienin po atë ditë pas disa orësh qëndrimi në hetuesinë e Prishtinës. Në orët e vona të natës, pas 3-4 orëve tortura nga më çnjerëzoret që kishin ushtruar mbi mua, do t’më përplasnin si një thes të shkyer, në qelinë nr 19. Dhuna do të vazhdonte kështu për disa muaj rresht.
Hetimet përgjithësisht, jo vetëm ndaj meje, por edhe ndaj të gjithë të arrestuarve, i zhvillonin shqipfolësit, ca prej të cilëve në vitet e nëntëdhjeta qenë konvertuar në demokratë dhe jo vetëm kaq! Për turpin tonë, ndonjëri sosh, i përdalluar për dhunën e ushtruar ndaj shumë të burgosurve politikë, ishte bartës edhe i statusit të Vetranit të UÇK-së, pa qenë fare as dy ditë bartës i uniformës së saj!
Anomalitë e kësaj natyre do ta shoqëronin ambientin tonë politik për më shumë se tri dekada.
Në krye të njësive të shumta të policisë speciale, që ishte angazhuar për arrestimin e Rexhepit dhe Nuhiut, në natën e 11 janarit 1984, aty ku ata do të përjetësohen dhe do t’i japin emrin asaj lagje – Kodra e Trimave, ishte pikërisht Tahir Zemaj, që sot është bartës i medaljes së Heroit të Kosovës!
Bashkëjetsa me anomali të kësaj natyre nuk e nderon shoqërinë tonë. Ky lloj konformizmi e bren nga brenda ndërgjegjen e Kombit dhe ardhmërinë e tij. Ai i ka kushtuar shumë Kosovës edhe gjatë dekadës së Aparthejdit [1989-1999], gjatë lufëts së lavdishme të UÇK-së së vegjëlisë, por edhe në dy dekadat e ndërtimit të Shtetit. Prandaj, nga kjo tryezë shkencore, i bëj thirrje Presidentes së Republikës që të inicojë tërheqjen e medaljes së Heroit të Kosovës Tahir Zemës, vrasësist të shokëve tanë, heronjëve të Kosovës – Nuhi Berisha e Rexhep Mala.
Pse e bëj këtë thirrje nga shtëpia e Kulturës në Dardanën tonë, që mban emrin e një heroi tjetër që dha Dardana – atë të Isa Kastratit?
Sepse kam qenë bashkëveprimtar i që të dyve: i Nuhiut dhe i Isës. Nga ata kam mësuar të jem shumë i drejtpërdrejtë me të Vërtetën, sa edhe me njerëzit tanë të dashur. Dhe sepse nuk jam intelektual konformist.
Vetëm e VËRTETA qëndron e përjetshme në fronin e saj.
***
Më 11 janar 2024 isha prezent në akademinë përkujtimore që u organizua nën përkujdesjen e Kryeminsitrit të Republikës, Albin Kurti.
Me tu kthyer në shtëpi, bëra një shënim për këtë akademi. Në atë ambient të bukur të Bibliotekës sonë, që mbanë emrin e korifeut të mendimit filozofik- Pjetër Bogdani, prijësit të kryengritjes antiosmane të vitit 1689, i shkonte mirë përkujtimi edhe i korifenjëve të Lirisë – Rexhep Mala e Nuhi Berisha. Organizimi ishte pothuajse i përkryer. Ky fakt më bëri të ndjehem mirë.
Qëndrimi ndaj heronjëve është pasqyra më e mirë për secilin brez, rrjedhimisht edhe për pushtetin, në raport me përkushtimin ndaj Atdheut.
Heronjtë si Nuhi Berisha, respektohen e nderohen duke investuar në ralizimin e idealeve të tyre, ndërkaq selitja e kujtimit për ta, kështu si po bëni ju sot, përmes Flakës së Janarit këtu në Dardanë e në Gjilan, në kryeqendrën e Anamoravës, ku u përurua dje shtatorja e Kadri Zekës, pra pikërisht më 17 janar, në përvjetorin e 42 të rënies së Tij, e sot në shënimin e 40 vjetorit të rënies së Nuhiut, është leksioni më i mirë i hisitorisë për brezat aktual dhe ata që vijnë.
Jam i prirur të besoj se nëqoftëse Kosova sot gëzon Lirinë dhe për shumëçka mund të thuhet se ajo është shndërruar në piemont i nacionalizmit progresiv shqiptar, në një demokraci funksionale, madje duke qenë përballë përplasjeve me valët e fashizmit modern serb, një kontribut të madhë për këtë, që në zanafillë, ka dhënë gjithësesi Nuhi Berisha.
I përjetshëm kujtimi për heroin Nuhi Berisha! Lavdi dëshmorëve të Lirisë!