Dhjetëra kamionë, autobusë dhe automjete private e të kompanive të ndryshme kanë bllokuar rrugën nga Zubin Potoku në drejtim të kufirit të Bërnjakut, në shenjë kundërshtimi kundër zbatimit të reciprocitetit ndaj targave të Serbisë.
Një zyrtar doganor nga kufiri i Bernjakut duke folur në kushte anonimiteti, ka bërë të ditur për KosovaPress, se që nga mëngjesi dhe deri në kohën kur po raportojmë, gjithsej tre automjete me targa të Serbisë kanë tentuar të hynë në territorin e Kosovës.
“Tre automjete deri tash kanë dashur të hynë dhe kanë pranuar t’i ndërrojnë targat, mirëpo me të kuptuar për grumbullimin e njerëzve dhe bllokadën në rrugë, janë kthyer mbrapsht”, ka thënë ky zyrtar.
Në anën tjetër, forca të shtuara të njësive policore të Kosovës, së bashku me automjetet e tyre, duke përfshirë edhe autoblindat, janë pozicionuar afër zonës së kufirit, për ta mbajtur të qetë situatën në këtë pjesë.
Vlen të theksohet se deri tash pothuajse e njëjta situatë po mbretëron edhe në kufirin e Jarinjes.