Këshilli i Bashkimit Europian, emëroi të premten ish ministrin e punëve të Jashtme të Sllovakisë, Miroslav Lajcak, si Përfaqësues të
Posaçëm të BE’së për Dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor.
Njoftimi për propozimin e tij ka shkaktuar pakënaqësi në Kosovë, posaçërisht tek Presidenti Hashim Thaçi, që e ka kundërshtuar që prej rrjedhjes së informacionit, ndërsa Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vucic, kishte thënë se e dinte se kush do të jetë dhe “do të jetë nën ndikimin e Berlinit”, transmeton Gazeta Metro.
Përmes një njoftimi, Këshilli thotë se “detyrat e Përfaqësuesit të ri Special të BE’së do të jenë arritja e një normalizimi gjithëpërfshirës të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës, përmirësimi i marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe pajtimi midis partnerëve në Ballkanin Perëndimor, duke i ndihmuar ata të kapërcejnë trashëgiminë e së kaluarës”.
Mandati fillestar i Lajcakut do të jetë 12 muaj i cili do të skadojë me 31 mars të vitit 2021 dhe ka të përcaktuar një buxhet prej 1.2 milion eurosh për zyrën e dhe stafin e tij me seli në Bruksel.
Se do të ndodhte emërimi i Lajcakut në këtë pozitë, ishte paralajmëruar shumë më herët nga burime brenda Bashkimit Europian.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kishte deklaruar se “misioni i tij është i paracaktuar të dështojë”.
“Misioni i tij është krijuar të dështojë për shkak të angazhimit të tij për të ndaluar Sllovakinë që ta njohë Kosovën”, kishte deklaruar Thaçi.
Lajcak është një diplomat sllovak që më parë ka shërbyer si ministër i Punëve të Jashtme të Sllovakisë dhe si president i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për seancën e 72-të (2017-2018).
Ai ishte Përfaqësues Special i BE’së për Bosnje-Hercegovinën në vitet 2007-2009, ndërsa gjithashtu vepronte si Përfaqësuesi i Lartë i komunitetit ndërkombëtar atje. Si një i dërguar personal i Përfaqësuesit të Lartë të BE’së, Lajcak në emër të Bashkimit Europian, mbikëqyri referendumin për pavarësinë e Malit të Zi më 2006.