Kandidati për deputet nga Aleanca Kosova e Re, Jetlir Zyberaj, thotë se edhe pas 13 vjetësh shtet ende po ndodh manipulimi dhe vjedhja e votave në zgjedhje.
Zyberaj theksoi se manipulimi me vota ndërmjet subjekteve politike u zëvendësua me manipulime të votave të kandidatëve brenda një subjekti politik.
“Fatkeqësisht në 13 vjet shtet ende në procesin e konsolidimit tonë ne nuk kemi arritur që ta tejkalojmë atë hijen e turpit që në të kaluarën ndodhte me manipulimin dhe vjedhjen e votave ndërmjet subjekteve politike – por që ky fenomen u zëvendësua me manipulimet e votave të kandidatëve brenda një subjekti politik”, tha ai.
“Ky fenomen po vazhdon të ndodhë edhe sot e kësaj dite ku edhe në zgjedhjet e fundit u përsërit. Mirëpo, mirë që opinioni është sensibilizuar dhe po e trajton këtë fenomen me një vëmendje jashtëzakonisht të madhe”, shtoi tutje Zyberaj.
“Ata që e njohin mirë procesin zgjedhor e din që në momentin kur përfundon procesi dhe mbyllen kutitë e votimit atëherë fillon procesi i numërimit të votave të subjekteve politike e pastaj kalon tek numërimi i kandidatëve – në këtë moment siç duket bie vëmendja e vëzhguesve dhe komisionerëve të caktuar nga subjektet përkatëse dhe vëmendja përqendrohet vetëm tek votat e kandidatëve të cilat orientohen pastaj nga ata komisionerë që e bastardojnë këtë proces duke përshkruar votat sipas direktivave që i kanë”, tha Zyberaj në Klan Kosova.
“Ky fenomen është prezent dhe po dëshmohet edhe nga ankesat që kanë dhjetëra kandidatë që ditëve të fundit po i prezantojnë”, nënvizoi ai.
Zyberaj mes tjerash tha se në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka dorëzuar dëshmitë për mungesë votash dhe këto nuk u morën fare parasysh nga Komisioni Qendror Zgjedhor për rinumërim.
“Unë i kam prezantuar dëshmitë konkrete me deklarata me shkrim nga votues dhe familjarë që kanë votuar në qendra të caktuara të votimit por që duke i parë formularët e prezantuar në webfaqën e KQZ-së ato vota nuk figurojnë fare dhe këta persona japin deklaratë dhe për këto deklarata mbajnë përgjegjësi penale dhe janë të gatshëm për një gjë të tillë. Por, fatkeqësisht dhe për habinë time këto deklarata nuk janë marrë për bazë nga KQZ-ja dhe nuk janë cilësuar si prova të mjaftueshme për t’u hapur ato kuti dhe është e paqartë për mua se çfarë prova tjera duhet t’i ofrohen PZAP-së”, tha Zyberaj.
“Manipulime me vota ndërmjet kandidatëve absolutisht janë skandaloze dhe po ndodhë në masë të madhe dhe si rezultat i këtyre manipulimeve që pasuan edhe në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve sot dy persona janë në burg – dhe mirë që janë në burg”, shtoi ai.
“Edhe pse ne po e kërkojmë rinumërimin në QNR me rregulla të reja të monitorimit atëherë do të dilnin në sipërfaqe edhe ata që kanë manipuluar me vota të qytetarëve”, tha Zyberaj.