Driton Bardheci, i emëruar sot zv.ministri i Arsimit dhe Shkencës në ministrinë e Ramë Likajt, nuk ka përfunduar akoma studimet Bachelor në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike në Universitetin e Prishtinës, ndërsa nota mesatare e tij është shumë e ulët, 6.8, shkruan Gazeta Metro.
Faqja Organizata Studentore “Stduim, Veprim, Kritikë”, i ka dedikuar një shkrim profilit të studentit Bardheci duke e quajtuar degradim të arsimit në Kosovë emërimin e një studenti të tillë që nuk ka as përgatitje profesionale për këtë titull.
“Driton Bardheci, është student i cili ende nuk i ka përfunduar studimet Bachelor në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike në Universitetin e Prishtinës dhe si student nuk e ka përgatitjen profesionale për detyrën që i është besuar. Me notë mesatare 6.8, një student zevendësministër vetëm e degradon më shumë sistemin arsimor në Kosovë”, thuhet ndër të tjerash në shkrimin e faqes “Studim Kritikë Veprim”.
Driton Bardheci, Kryetari i Aleancës së të Rinjve të Kosovës, u bë i njohur në një aksion protestues të Rinisë së AAK’së, para qeverisë së Kosovës, në kohën kur kjo udhëhiqej nga Albin Kurti, e që kishte të bënte me vendimin për heqjen e taksës ndaj mallrave serbe.
Më poshtë ju sjellim reagimin e Organizatë Studentore “Stduim, Veprim, Kritikë”:
Zëvendësministri student
Sot, u njoftuam se Driton Bardheci është emëruar zëvendësministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë. Kjo është një goditje tjetër e rëndë për arsimin në Kosovë pas emërimit të plagjiatit Ramë Likaj si Ministër i Arsimit.
Kush është zv. Ministri i emëruar sot nga Kryeministri Avdullah Hoti?
Driton Bardheci, është student i cili ende nuk i ka përfunduar studimet Bachelor në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike në Universitetin e Prishtinës dhe si student nuk e ka përgatitjen profesionale për detyrën që i është besuar. Me notë mesatare 6.8, një student zevendësministër vetëm e degradon më shumë sistemin arsimor në Kosovë.
Këso goditje të rënda, të njëpasnjëshme, për arsimin filluan me vendimin e ish-ministres Hykmete Bajrami, për emërimin e profesorëve të kolegjeve private në Këshillin Drejtues të Universitetit të Prishtinës (ndaj të cilit vendim edhe kemi protestuar).
Ndërsa pas znj. Hykmete Bajramit në krye të ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë erdhi Ramë Likaj i cili është akuzuar për plagjiaturë, pasiqë i njëjti për një periudhë të shkurtër kohore ka botuar një numrë të madh të publikimeve shkencore të cilët nuk arsyetohen.