Zëvendësministri i ri i emëruar në Ministrinë e Arsmit dhe Shkencës, Driton Bardheci nuk ka diplomë të studimeve bachelor. Ilir Doçi, Prodekan për Çështje Mësimore në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike i tha Gazetës Express se Bardheci vazhdon të vijojë studimet në vitin e 3të, në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike, programi Inxhinieria Industriale. Ndryshe, Bardheci i cili po përflitet shumë pas emërimit si Zv.ministër, sot e ka mbyllur fb’në duke e lënë të hapur vetëm një fan page.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës që në qeverinë Kurti drejtohej nga Hykmete Bajrami e LDK’së, në qeverinë Hoti udhëhiqet nga AAK’ja e Ramush Haradinajt.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka propozuar që Driton Bardheci i cili është anëtar i kësaj partie të emërohet në pozitën e zëvendësministrit në MASh.
Por i njëjti nuk ka përfunduar studimet themelore bachelor që është parakusht për të qenë numri dy në një dikaster qeveritar siç është Ministria e Arsimit.
Prodekani për Çështje Mësimore në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike, Ilir Doçi, fakultet ku vazhdon të jetë student zëvendësministri i ri, i tha Gazetës Express se Bardheci është në vitin e 3të të studimeve dhe nuk ka diplomuar akoma.
“Driton Bardheci është student në Fakultetin tonë, në programin Inxhinieria Industriale dhe Menaxhmenti në nivelin e studimeve Bachelor në kuadër të Inxhinierisë Mekanike. Tani është në vitin e 3 të studimeve dhe nuk ka diplomuar ende”, tha ai.
Gazeta Express ka provuar të marrë përgjigje nga Ministria e Arsimit lidhur me emërimin e Driton Bardhecit, por që të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj nuk i është përgjigjur thirrjeve të Gazetës për të kërkuar sqarim në lidhje me emërimin e zëvendësministrit pa pasur diplomë të studimeve themelore.
Driton Bardheci pas emërimit në këtë pozitë ka falënderuar kryetarin e AAK’së, Ramush Haradinaj për besimin e dhënë.
“Sot, u emërova Zëvendësministër në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. E falënderoj kryetarin Ramush Haradinaj dhe strukturat e AAK-së për besimin e dhënë! Është nder dhe përgjegjësi e madhe për mua që t’i shërbej shtetit tim dhe gjithë juve që më mbështetët në çdo periudhë. Zotohem se do të përkushtohem plotësisht me të gjitha kapacitetet e mija njerëzore dhe profesionale, në mënyrë që të përballemi suksesshëm me të gjitha sfidat gjatë reformës së sistemit arsimor”, kishte shkruar ai.
Driton Bardheci ka qenë kandidat i AAK’së për deputet në zgjedhjet e 6 tetorit duke grumbulluar 3 mijë e 960 vota që kanë qenë të pamjaftueshme për të siguruar ulëse në Kuvendin e Kosovës.