Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, së bashku me bashkëpunëtorë vizitoi sot Komunën e Lipjanit, ku u takua me kryetarin e Komunës, Imri Ahmeti dhe vizitoi, gjithashtu, edhe Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare.
Ai u njoftua nga kryetari i Komunës për aktivitetet dhe masat e ndërmarra nga autoritetet komunale të Lipjanit lidhur me situatën rreth Covid-19 në këtë komunë.
Ministri e njoftoi kreun e Komunës së Lipjanit dhe autoritetet komunale të shëndetësisë për masat e ndërmarra nga Ministria lidhur me Covid-19 si në rrafshin e rritjes së kapaciteteve për trajtimin e të prekurve, ashtu edhe në rrafshin e zgjerimit të testimeve.
Bëhet e ditur se në takim janë shqyrtuar edhe nevojat e reja që i ka Kujdesi Parësor Shëndetësor në Komunën e Lipjanit, konform situatës me Covid-19.
Me këtë rast, QKMF-së i është dorëzuar një aparat oksigjen-formues, siguruar nga mbështetja e Qeverisë së Luksemburgut dhe UNICEF-it, që këto ditë i kanë dorëzuar MSh-së 40 aparate të tilla për nevojat e Kujdesit Parësor Shëndetësor në Kosovë.