Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj ka vizituar Komunën e Fushë Kosovës ku është pritur nga kryetari Burim Berisha.
Zemaj dhe Berisha kanë diskutuar për gjendjen me COVID-19 në Fushë Kosovë, derisa i pari i shëndetësisë ka thënë se këtë komunë do ta ketë prioritet.
Zemaj ka vizituar edhe Qendrën e Mjekësisë Familjare në Fushë Kosovë për të parë nga afër se si po ia dalin mjekët dhe stafi tjetër shëndetësor të përballen me pandeminë.
Postimi i plotë i Armend Zemajt në Facebook:
Me kryetarin e Fushë Kosovës, Burim Berishën dhe stafin e tij biseduam për shqetësimet e shkaktuara nga Covid19, shpalosëm pikëpamjet se si të zvogëlohet sa më shumë ky rrezik që po e kanos shëndetin e qytetarëve, sikurse për projektet që do të realizojmë në të ardhmen.
Konfirmova se Fushë Kosova do të jetë në prioritetin e angazhimit tim dhe do të mbështes projektet e caktuara, e do të ofrohet ndihma për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore.
Po ashtu, në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare/QKMF pashë nga afër kapacitetet dhe angazhimin e stafit mjekësor. Me drejtuesit biseduam për menaxhimin e situatës dhe ndihmën logjistike që do t’i ofrojmë kësaj qendre.
Mjekëve dhe infermierëve iu shpreha mirënjohje të thellë dhe i falënderova për sakrificën dhe punën e palodhshme që po bëjnë në këtë kohë të vështirë.