Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se çdo ditë ushtria e vendit të tij po humb deri në 100 ushtarë dhe po plagosen 500 të tjerë.
Në një intervistë për kanalin televiziv Newsmax, Zelensky e vlerësoi si të vështirë situatën në të cilën ndodhet Ukraina pas pushtimit rus.
“Situata është shumë e vështirë, ne po humbasim 60-100 ushtarë në ditë dhe rreth 500 njerëz si të plagosur në aksion. Pra, ne po mbajmë perimetrin tonë mbrojtës”, tha ai.
Zelensky tha se situata më e vështirë është në lindje të Ukrainës dhe në jug të Donetsk dhe Luhansk.
“Ne duhet të kuptojmë se kush është fuqia e errët, është Rusia dhe Rusia nuk do të ndalet në Ukrainë. Vendet e tjera, ish-Republikat e BRSS-së dhe anëtarët e BE-së – disa prej tyre tashmë janë vende anëtare të NATO-s – ato janë nën kërcënim”, tha presidenti ukrainas.
Kujtojmë që Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt dhe ende po vazhdon të vrasë njerëz e të shkatërrojë infrastrukturën atje, derisa ShBA-të dhe shtetet e perëndimit po i vënë sanksione.