Kritikave të opozitës për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për injorimin të cilin po thonë se ai po ua bën mbi 1 mijë e 500 banorëve në Deçan, u është përgjigjur zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu, shkruan Gazeta Sinjali.
Kryeziu ka thënë se Kurti po qëndron në Athinë në vizitë zyrtare që nga 8 korriku, për pjesëmarrje në dy konferenca, të cilat ai i vlerëson si shumë të rëndësishme.
Zëdhënësi i qeverisë thotë se në këto konferenca marrin pjesë politikanë progresistë e akademikë të shquar nga mbarë bota ftohen bashkë me familjet e tyre.
Kryeziu tha se të gjitha shpenzimet e akomodimit janë të mbuluara nga “The Economist” dhe Qeveria e Greqisë.
Mirëpo, Kurti kishte marrë pjesë në këto konferenca edhe sa nuk ishte fare kryeministër. Sivjet është hera e katërt që ai është pjesëmarrës në to.
Kësisoj, zëdhënësi i qeverisë ka arsyetuar të parin e ekzekutivit, duke treguar agjendën e Kurtit për këto ditë dhe liderët me të cilët është takuar.
Postimi i plotë:
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti është në vizitë zyrtare në Greqi që nga data 8 korrik. Ai ka udhëtuar në Athinë me ftesë të organizatorëve të dy konferencave të rëndësishme, në të cilat kryeministri Kurti ka qenë pjesë e panelit të diskutimit.
Fillimisht, me 9 korrik, kryeministri Kurti ishte pjesëmarrës në tryezën e rrumbullakët të organizuar nga “The Economist” dhe Qeveria e Greqisë. Aktualisht, po merr pjesë në Simpoziumin SYMI.
Sivjet është hera e katërt që kryeministri Kurti po merr pjesë në Simpoziumin Symi, ku politikanë progresistë e akademikë të shquar nga mbarë bota ftohen bashkë me familjet e tyre. Edhe vitin e kaluar, sikurse sivjet, simpoziumi po mbahet saktësisht në të njëjtin vend, në Lagonissi afër Athinës, dhe edhe kësaj radhe bashkëshortja e Kryeministrit merr pjesë në njërin nga panelet e simpoziumit. Shpenzimet e udhëtimit dhe të akomodimit mbulohen nga organizatori.
Postimet nga pjesëmarrja e kryeministrit Kurti në vitet e kaluara mund t’i shihni këtu:
https://www.facebook.com/albini2017/posts/927956037704281
https://www.facebook.com/albini2017/posts/641782839654937
https://www.facebook.com/albini2017/posts/402236570276233
Gjatë qëndrimit në dy konferenca atje, kryeministri Kurti zhvilloi takime të shumta me përfaqësues të lartë qeveritarë dhe politikë, sikurse ai me kryeministrin e Greqisë, z. Mitsotakis, ministrin e Punëve të Jashtëm, z. Dendias, ministrin e Mbrojtjes Kombëtare, z.Panagiotopoulos dhe liderin e opozitës, z. Tsipras, si dhe zëvendëspresidentin e Komisionit Evropian, z. Schinas dhe politikanë e diplomatë nga rajoni dhe bota.
Pas takimit të djeshëm me ministrin e Punëve të Jashtme, z.Dendias, kryeministri Kurti ka biseduar në telefon me kryetarin e Komunës së Deçanit, z. Ramosaj dhe me ministrin e Shëndetësisë, z.Vitia më të cilin bisedoi gjersa ai po qëndronte në Deçan. Dje në Deçan ishin edhe Presidentja e vendit, znj. Osmani, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Gërvalla dhe ministri i Mbrojtjes, z. Mehaj.
Të helmuarve ju dëshirojmë edhe njëherë shërim të shpejtë. Po bëjmë gjithçka me të gjitha mundësitë, që së bashku të tejkalojmë këtë gjendje.