Autobusi me turistë shqiptarë nga Maqedonia që u përfshi nga flakët duke u shkrumbuar në orët e para të ditës së sotme në Bullgari është në gjendje të tillë që nuk mund të konstatohen të dhëna nga pajisja teknike që regjistron lëvizjen e autobusit, tahografi.
“Gjithçka është djegur” u shpreh drejtori ekzekutiv i Agjencisë Ekzekutive “Administrata e Automjeteve” Bojko Ranovski.
Ai ka theksuar se sipas informacioneve të institucionit që ai menaxhon, nga pika kufitare Kapitan Andreevo deri në vendin e aksidentit nuk janë regjistruar shkelje të rregullave të qarkullimit.
“Sipas të dhënave nga kamerat e pikave kufitare dhe agjencisë rrugore, organet hetuese mund të nxjerrin informacione që janë të nevojshme për të përcaktuar shkaqet e aksidentit rrugor”, tha Bojko Ranovski.
45 shqiptarë ndërruan jetë si pasojë e tragjedisë, ndërsa 7 të tjerë ndodhen në spital ku po kurohen për djegiet që pësuan.