Ish kryetari i VV-së, Visar Ymeri ka reaguar pas vendimit të Albin Kurtit, kryeministër i Kosovës, për heqjen e taksës ndaj mallrave serbe.
“Është tejet e dëmshme për vendin tonë që të kundërshtojmë për një kohë të gjatë për të lëshuar pe pastaj pas asnjë përfitim. Aq më tepër kur krerët institucional flasin fjalë të mëdha për t’i harruar ato të nesërmen. Kjo sjellje e Kryeministrit Kurti i përngjason sjelljes së Thaçit kur ishte kryeministër (p.sh. për Fusnotën) duke i thënë disa JO të vogla drejt PO-së së madhe”, ka shkruar Ymeri, raporton Ballkani.info.
Postimi i plotë:
Përfundimisht tarifa ndaj Serbisë po hiqet. Ky është vendim i duhur. Natyrisht që bashkërendimi i politikave tona shtetërore me miqtë tanë, e veçanërisht me ShBA-të, për sa i përket Dialogut me Serbinë është i domosdoshëm.
Por mënyra se si u hoq taksa përfshirë kohën që mori sjellja e këtij vendimi nga Kryeministri është më e keqja e mundshme. Është tejet e dëmshme për vendin tonë që të kundërshtojmë për një kohë të gjatë për të lëshuar pe pastaj pas asnjë përfitim. Aq më tepër kur krerët institucional flasin fjalë të mëdha për t’i harruar ato të nesërmen. Kjo sjellje e Kryeministrit Kurti i përngjason sjelljes së Thaçit kur ishte kryeministër (p.sh. për Fusnotën) duke i thënë disa JO të vogla drejt PO-së së madhe.
Një sjellje e tillë e bën shtetin jo serioz. Çfarëdo kërkese e kushtëzimi i mëpastajmë nuk kanë më vlerë, meqë kështu (edhe) ky Kryeministër po e dëshmon që nuk i qëndron fjalës së dhënë. Përndryshe çfarë kuptimi ka të thuhet dje se taksa hiqet kur vendosen masat e reciprocitetit, e pastaj të hiqet taksa sot pa u vendosur masat e reciprocitetit.
Kjo nuk është ndryshe me atë çfarë kemi parë deri tash në qeverisje. Praktikisht kjo sjellje thotë: po na thonë miqtë ndërkombëtar e nuk kemi zgjidhje tjetër. Qeverisja ndryshe do të merrte vendime në të mirë të vendit për shkak se e ka detyrë, e jo si rrjedhojë e presionit që vjen nga jashtë. Aq më tepër që (edhe) në këtë rast duket që qëndrimi në pushtet (gjykuar nga kërcënimet nga LDK) të ketë qenë një arsye e fortë prapa vendimit. Me të njëjtat arsyetime mund të hiqet dorë nga secili premtim e zotime.