Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti tha se fondi “Vendlindja Thërret” nuk ka pasur shumë pare dhe sipas tij, nuk duhet t’i kushtohet aq rëndësi debatit për të.
Haliti u shpreh se ka pasur mundësi që ky fond të keqpërdoret sepse ka qenë i shpërndarë në shumë drejtime.
“Unë nuk mundem me ditë a ka pasë a s’ka pasë keqpërdorime në fondin “Vendlindja Thërret”. Mundësitë kanë qenë sepse ky fond është shpërndarë në qindra drejtime, por nuk ka qenë ndonjë fond që duhet me i kushtu aq rëndësi sepse ka pas pak pare, s’ka qenë fondi i 3 përqindëshit s’ka qenë fond i qeverisë, ka qenë fond solid. Unë s’kam qenë shef i Vendlindja Thërret, i ngarkuar ka qenë Jashari Salihu nga 1997. Nga mesi i 1998, Shtabi i Përgjithshëm e ka emëruar Mujë Rugovën shef të të gjitha fondeve për UÇK-në. Unë kam qëndruar në Shqipëri në tërë kohën, unë kam të dhëna për ato që unë i kam marrë. Unë obligim me raportu kam pasë në dy vende, tre në njërin dhe tre në tjetrin të cilët i dinë detajet”, tha Haliti në Frontal të T7.
Ai foli edhe për përplasjen që ka pasur me deputetin e VV-së, Haki Abazi në komisionin për Punë të Jashtme.
Haliti u shpreh se Haki Abazi e di që ka keqpërdorë fondin Rockefeller për atë edhe ka heshtur.
“S’po din me udhëheqë komisionin dhe po flet më shumë se të gjithë bashkë. Kur e thirret ministrin dhe mendoj se e para ka qenë e mundshme me folë të gjithë dhe jo me fol Hakiu, pastaj më ndërhyri dhe unë u nxeva pak por s’ishte diçka. Ai e din që ka keqpërdorur atë fond për atë heshti, ai e din që e di unë që ka keqpërdorë. Problemi i keqpërdorimeve nuk është në pyetje sasia por është në pyetje se a ke keqpërdorë a jo”, tha deputeti Haliti.