Me sa shihet Granit Xhaka, megjithatë, do ta ketë një të ardhme afatgjate në Arsenal, duke qenë se trajneri i ri i klubit londinez, Mikel Arteta, e adhuron mesfushorin me prejardhje nga Kosova. Trajneri spanjoll ka zbuluar se dikur e donte në Manchester City përfaqësuesin shqiptar të Zvicrës.
Jo shumë kohë më parë, u duk sikur Xhaka nuk kishte të ardhme në Arsenal dhe largimi i tij ishte pothuajse punë e kryer, si pasojë e reagimit të tij të ashpër dhe ofendues ndaj tifozëve në fillim të sezonit.
Trajneri i atëhershëm i “Topçinjve” Unai Emery e kishte pranuar se largimi i Xhakës në janar ishte shumë i mundur, raporton Gazeta Express.
Por tani, më pas se një javë deri në hapjen zyrtare të afatit kalimtar dimëror të lojtarëve, Arteta – i emëruar në stolin e Arsenalit javë më parë në vend të Emery – i ka dhënë shumë shpresë Xhakës se të ardhmen mund ta ketë në klubin nga Premierliga.
Arteta e ka pranuar se është adhurues i madh i 28-vjeçarit tash e një kohë të gjatë dhe shpreson se tifozët do të jenë të këndshëm me të përsëri.
“Si lojtar, kur shkova nga Arsenali në City për ta nisur karrierën e trajnerit dhe po kërkonim mesfushorë në atë pozitë, Xhaka ishte në listën time. Kjo tregon se sa shumë më pëlqen ai”, zbuloi Arteta, i cili ka qenë ndihmëstrajner i Pep Guardiolës në City për tri vjet.
“U gëzova kur Arsenali e bleu sepse mendoja se ai do të bëhej lojtar fantastik. Ai ka bërë gjëra shumë të mira dhe tani ka ngecur në një gjendje të vështirë, e cila, mendoj se po rritej e po rritej dhe një ditë shpërtheu”, shtoi ai.
Klubi nga Bundesliga Hertha Berlin ka shprehur interesim të madh për ta transferuar Xhakën në janar, por Arteta e ka bërë të qartë se sa shumë e vlerëson shqiptarin.
“Ia kam thënë se sa shumë më pëlqen dhe se çfarë pres nga ai, si dhe sa i rëndësishëm është ai për këtë ekip. Jam këtu për ta ndihmuar. Dua që ai të ndihet se ne i qëndrojmë pranë. Jo vetëm unë, por edhe i tërë klubi”, theksoi Arteta.