Ish-kryetari i Komunës së Kaçanikut, Xhabir Zharku, do të vazhdojë të mbes nën masën e paraburgimit, ku gjendet që nga muaji dhjetor 2019.
Kjo pasi që, Gjykata e Apelit e ka refuzuar ankesën e mbrojtjes së Zharkut, duke e lënë në fuqi vendimin e Gjykatës Themelore në Ferizaj, e cila në fillim të muajit mars, ish-kryetarit të Kaçanikut, ia kishte vazhduar paraburgim edhe për dy muaj të tjerë.
Zyrtari për informim në Gjykatën e Apelit, Arbër Jashari tha se Zharkut i është refuzuar ankesa e ushtruar ndaj vendimit të Themelores.
Kësisoj, ish-kryetari i Kaçanikut do të vazhdojë të mbes në paraburgim, të paktën deri më 5 maj 2020.
Zharku ishte arrestuar në dhjetor të vitit 2019, nën dyshimet se gjatë viteve 2008-2010, ka kryer veprën penale të shpërdorimit të detyrës zyrtare apo autorizimit, në kohën kur ishte kryetar i kësaj komune, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“I pandehuri Xh.Zh. dyshohet se në tetor të vitit 2008 dhe shkurt të vitit 2010 në Kaçanik, si person zyrtar, përkatësisht kryetar i Komunës së Kaçanikut, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për organizatën e biznesit dhe shkaktimit të dëmit të Komunës së Kaçanikut, ka shpërdoruar pozitën e tij zyrtare”, thuhej në njoftim e Gjykatës Themelore në Ferizaj.
Ndryshe, Xhabir Zharku, në vitin 2011, ishte dënuar nga EULEX-i me 3 vjet burgim për veprat penale “detyrim” dhe “armëmbajtje pa leje”, ndërsa pas kësaj ishte arratisur nga Kosova, ku kishte jetuar në Suedi e në disa raste kishte marrë pjesë në organizime të institucioneve të Kosovës.
Në shtetin skandinav ai kishte jetuar për gati pesë vjet e gjysmë, derisa më 7 qershor të vitit 2018, ai ishte kthyer në Kosovë, pasi që kishte kaluar afati i ekzekutimit të dënimit ndaj tij.