Zoti Walker thotë se “e kam kritikuar Albin Kurtin për një mori gjërash” por se sa i përket kundërshtimit të Asociacionit “kam qenë me të krejtësisht”.
Konsideron se Kurti “ka pasur të drejtë në plotni” që ka qenë kundër. Por, ditëve të fundit tha se “dëgjova që Kurti qenka dorëzuar dhe e paska pranuar” ndonëse nuk i di detajet se çka përmbahet në Statutin e ri, dhe shtron pyetje me një interesim tejet të madh.
Megjithatë – nga ajo çka dihet deri tash; që ata do të kenë në dorë fushat si arsimi, shëndetësia, mirëqenia sociale, planifikimi urban e hapësinor, disponimi i pronave (etj.); në një fjalë: autonomi politike dhe territoriale për komunitetin serb – Walker ndalet në këtë tren mendimi.
Ende dëshiron të besojë që Kurti s’do pranojë këtë; e madje edhe e këshillon që “të rezistojë edhe më shumë”. Megjithëkëtë, “jo nëse është në një pozitë të pamundshme”, thotë ai i vetëdijshëm për presionin e madh ndërkombëtar.
Derisa media e përditëson zotin Walker me zhvillimet e fundit të këtij Asociacionit dhe atë që BE thotë se Statuti i ri “nuk shkel vijat e kuqe të palëve”, ai thjesht s’mund të qëndrojë indiferent.
“Si dreqin qenka e mundur të mos shkelen vijat e kuqe të Serbisë dhe të jetë në njëjtën kohë në përputhje me Kushtetën e Kosovës?”, pyet ai.
Duke ia kumtuar se ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ditë më parë tha se ky Statut është “fuqishëm në përputhje” me Kushtetutën e Kosovës, Walker pauzon për një moment. Thjesht thotë se “nuk e di çfarë kanë në mend ShBA”.
Në bisedë e sipër, fjala shkon te pararendësi i Hovenier-it, Philip Kosnett, i cili përgjatë kohës së tij ishte tejet strikt në kërkesën për themelimin e Asociacionit; e madje, argumentativisht, edhe më tonik se vetë Hovenier.
Por Kosnett ndryshoi për çudinë e shumëkujt.
Në një bisedë me Euractiv javë më parë, duke folur për ngjarjet e Banjskës, ai vetë tha se “tashmë Asociacioni duhet të rikonsiderohet”.
Kjo deklaratë e Kosnett-in është krejtësisht “e saktë” për Walker-in, dhe madje me humor thotë se “më vjen mirë që një (ish)ambasador po mendoka si unë”.
“Çka po u mungon serbëve në Kosovë?”, pyet Walker në dijeni për të drejtat tejet të gjera në Kosovë prej planit të Ahtisaarit e tutje. “Ata janë tejet të privilegjuar”, shton ai teksa argumenton gjerë e gjatë se pse në mendjen e tij ky Asociacion është përveç i panevojshëm edhe i dëmshëm.
Shto kësaj që Beogradi çdo ditë deklarohet se nuk do ta njohë “kurrë” Kosovën – “as ‘de facto’ dhe as ‘de jure’”.
Krejt kjo, “është e pakuptueshme”, thotë Walker.
Me humor na thotë se “eh, politikat ballkanike – mbase më mirë të merrem me dhëmbët e mi”.