Dy ish-ministra të dorëhequr, Donika Gërvalla dhe Faton Peci, janë paraqitur sot në objektin e Kuvendit të Kosovës për t’u regjistruar si deputetë, pas dorëheqjeve të tyre nga kabineti qeveritar. Gërvalla, e cila mbante postin e Ministres së Jashtme, ka dhënë një deklaratë që ka ngjallur reagime të menjëhershme në opinion.
“Dihet kush është ka e formon qeverinë me 15 [prill] apo më vonë, kështu që s’kemi çka diskutojmë. Me votat e nevojshme”, deklaroi Gërvalla, duke aluduar qartë se Lëvizja Vetëvendosje ka të siguruara votat për formimin e qeverisë së re.
Por kjo deklaratë bie në kundërshtim me atë që kishte thënë vetëm disa ditë më parë kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca – gjithashtu nga VV – i cili kishte pranuar publikisht se nuk i kanë votat për të formuar një shumicë të re parlamentare.
Kjo mospërputhje ka ngritur pyetje serioze në publik dhe opinionin politik: Kush po e thotë të vërtetën – Albin Kurti e Glauk Konjufca, apo Donika Gërvalla? Dhe nëse votat ekzistojnë, pse ka pasur hezitim për t’i dorëzuar mandatet dhe për të proceduar me formimin e qeverisë së re?
Nga sot e deri më 15 prill, kur pritet seanca eventuale për formimin e qeverisë, mbetet të shihet nëse kjo “siguri” e përfolur nga Gërvalla do të përkthehet në vota reale në Kuvend – apo në një tjetër ngërç politik.