Ministri i Brendshëm serb Aleksandar Vulin tha se “askush nuk u shqetësua nga fakti që gjermanët u bashkuan dhe kështu përfunduan rishikimin e rezultateve të Luftës së Dytë Botërore, por po i shqetëson që serbët duan të jetojnë në një shtet”,
“Unë besoj se krijimi i botës serbe zgjidh çështjen kombëtare të serbëve, ndalon përhapjen e ‘Shqipërisë së Madhe’, garanton serbët se gjenocidi ndaj tyre nuk do të ndodhë më kurrë, dhe mbi të gjitha siguron paqen afatgjatë në Ballkan”, i tha Vulini Vecernje Novostit, transmeton Gazeta Sinjali.
Ai deklaroi se Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe ai janë “bashkëluftëtarë, por nuk është e pazakontë që mos të mendojnë njëlloj”.
Vulin ka thënë se “shpesh dëgjon të thuhet se të gjithë do të jetojnë në Bashkimin Evropian, kështu që nuk ka nevojë të mblidhen në shtetin serb”.
“Është harruar që ne kemi jetuar tashmë ashtu, me shekuj në Perandorinë Osmane, për disa dekada në Austro-Hungari dhe për katër vjet nën komandën e Rajhut të Tretë”, shtoi Vulin.
Siç tha ai, “zgjidhja nuk është që të gjithë serbët të jetojnë së bashku në një vend të huaj, por që shumica e serbëve të jetojnë në vendin e tyre”.
“Njerëzit të cilët kanë përjetuar gjenocid të përsëritur në çdo brez dhe gjithmonë nga të njëjtit autorë nuk kanë të drejtë t’u lënë fëmijëve mundësinë për të provuar shfarosjen e bashkatdhetarëve të tyre në pjesë të kombit ku ata nuk janë të mbrojtur nga shteti. Falë Vuçiq, serbët janë bërë një popull i vetëm dhe kjo nuk do të mund të ndalet më”, tha Vulin, raporton Beta.