Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë Aleksandar Vulin ka replikuar në distancë me kreun e qeverisë shqiptare Edi Rama.
Zyrtari i lartë serb reagoi sot ndaj deklaratës së kryeministrit shqiptar dy ditë më parë për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën. Vulin tha se vetëm “bota serbe” do ta ndalonte “Shqipërinë e Madhe”.
“Kur Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, thotë se detyra e karrierës së tij politike është “bashkimi i Shqipërisë me Kosovën”, të gjitha vendet e Ballkanit heshtin, UNMIK -u, i cili kontrollon Kosovën dhe Metohinë sipas Rezolutës 1244, hesht, dhe BE nuk lëshoi deklaratat e saj të famshme që bëjnë thirrje për të dyja palët për vetëpërmbajtje” tha ai.
Sipas tij, për shkak se të gjithë heshtin për “Shqipërinë e Madhe”, serbët duhet të flasin. “Çdo gjë që lejohet për shqiptarët nuk do të jetë në gjendje të ndalohet për serbët. Pengesa e vetme për “Shqipërinë e Madhe” dhe forca e vetme që do të mundësojë që serbët të mos drejtohen nga të tjerët është uniteti politik serb dhe krijimi i një “bote serbe”. Shpresoj që të gjithë ata që heshtin për deklaratën e Ramës për krijimin e një “Shqipërie të Madhe” do të heshtin kur ne serbët të flasim për “botën serbe” tha Vulin.
Kryeministri Edi Rama i ftuar mbrëmjen e së premtes në emisionin “Zonë e Lirë” u pyet nëse e ka në plan që të bëhet Presidenti i trojeve të bashkuara të Kosovës dhe Shqipërisë. Kreu i qeverisë u shpreh se nuk e ka ndërmend këtë gjë pasi do që të zhvillojë një jetë të tretë ku do të fokusohet tek njerëzit e tij të dashur. Rama tha se nuk është në planet e tij që të jetë President i Kosovës dhe i Shqipërisë, por tregoi aspiratën e tij për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën.
Pjesë nga intervista
Për mua personalisht është shumë e qartë, e kam thënë shpeshherë dhe një ditë do ta them që unë me ndihmën e Zotit dua të kem edhe një jetë tjetër. Një e kam pasur si artist dhe si rebel, një si njeri në shërbim të publikut. Një tjetër dua ta kem si një jetë ku mos të kem detyrim ku ti përgjigjem cilitdo qoftë dhe as më pak t’i gjendem cilit do qoftë për shkak të detyrës. Tani jam i fokusuar tek mandati i tretë. Të katërtin do ta fitojmë pa diskutim. E shoh veten diku tjetër pas 2030-ës.
Pra President i Kosovës dhe i Shqipërisë?
Jo.
Ose i trojeve të bashkuara?
Jo.
Pse jo?
Sepse dua të kem edhe unë të drejtën që të kem një pjesë të fundit të rrugës së jetë ku të marr frymë i çliruar nga superngarkesa e kësaj pjese të rrugës. Nuk bëj sikur ma kanë dhënë me zor. Në këtë pozicion qëndrohet deri kur ke të gjithë zjarrin e nevojshëm brenda. Mendoj se është mëse e mjaftueshme për mua, por edhe me gjithë të tjerët që shërbimet e mia ndaj të gjithë këtij vendi si i pari i punës të kenë një limit. Përtej atij limit të kem mundësinë që t’i rikthehem disa pasioneve dhe disa gjërave të tjera që janë të rëndësishme për njeriun dhe t’i kthej sa të mundem nga gjithë ky borxh i madh i akumuluar njerëzve të mi të dashur.
Kur unë të them Presidenti i Shqipërisë dhe i Kosovës, është kjo në planet e tua zotëri?
Nuk është në planet e mia. Bashkimi i Shqipërisë me Kosovën por jo unë President.
Bashkimi i Shqipërisë me Kosovën, por kjo shoqërohet me një lidership apo jo?
Por kjo nuk është projekt personal. Kjo është aspiratë. Nuk ka asgjë që nuk ka lidhje me personalen tek secili person, por tjetër është një projekt personal dhe tjetër është që personi yt të jetë në dispozicion të një aspirate që është më shumë sesa personale.
Pra Ramë ti nuk e projekton dot veten dhe nuk e thua dot që po është ambicia ime që një ditë të udhëheq shqiptarët kudo në trevat e tyre. Nuk e thua dot këtë gjë. Nuk do ta thuash publikisht?
Ambicia ime është që të kem një jetë të tretë. Jeta e tretë nuk do të ketë lidhje me politikën e përditshme dhe me punën e përditshme si njeri i zgjedhur nga populli.
Unë nuk ta besoj këtë që thua.
Jeta ime do të jetë e bazuar në atë që unë bëj si njeri i zgjedhur për të lindur dhe për të jetuar.
Nuk je i sinqertë në këtë gjë se unë të njoh. Nëse ka një gjë që ty të punon 24 orë në 24 orë është pikërisht kjo.
Ajo që mua më fasinon kur thonë kosovarët është që të gjithë ju mendoni se më njihni.
Të njoh aq sa të kuptoj që pushteti për ty është një objektiv madhor.
E pra nuk më njeh.
Ne kemi prova. Për herë të parë në Shqipëri, një kryeministër fiton mandatin e tretë dhe thotë që do të fitojë mandatin e katërt.
Nuk e çoj nëpërmjet të bëhem mbret. As të jem presidenti i Shqipërisë dhe i Kosovës./ Abcnews.al