Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se ende nuk e di se cila do të jetë tema e bisedimeve në Uashington e as cila do të jetë përbërja e delegacionit të Beogradit.
“Nëse do të më pyesnit se a do të ndodhë diçka, për të cilën disa dëshirojnë të shkruajnë, unë nuk pres gjëra spektakolare. Pres bisedime racionale. Këto janë pritjet e mia. Serbia është e vogël që ta urdhërojë Shtëpinë e Bardhë, por është mjaftueshëm e madhe që të thotë se cilat janë interesat e saj, të cilat duhet t’i mbrojë”, tha Vuçiq pas vizitës së punimeve përgatitore për ndërtimin e rrugës në rrethinën e Lajkovcit në Serbi.
I dërguari i posaçëm i presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, ka njoftuar të hënën, më 15 qershor, se delegacionet e të dy vendeve do të takohen më 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë “për të biseduar për dialogun”.
Duke komentuar deklaratën e kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, se Prishtina kërkon njohjen e pavarësisë, Vuçiq ka thënë në rast se delegacioni i Kosovës niset në Uashington me këtë platformë, atëherë është më mirë që të mos vije fare.
Ai i ka hedhur poshtë pohimet e kundërshtarëve politikë se më 28 qershor, në ditën kur shënohet festa ortodokse serbe, Dita e Shën Vidit, e njohur si Vidovdan, që do ta njohë Kosovën.
“Për tetë vjet jam duke e dëgjuar të njëjtin rrëfim dhe për tetë vjet jemi duke e nxjerrë Serbinë nga humnera dhe pusi i shkatërrimit të interesave nacionale dhe poshtërimit të Serbisë. Serbia, e cila ka kërkuar falje për çfarë duhet dhe për çfarë nuk duhet, e cila nuk ka pasur reputacion, nuk ka pasur ushtri dhe polici. Edhe tash nuk është e preferuara e të gjithëve, por është e respektuar”, tha Vuçiq.
Autoritetet e Kosovës, kanë deklaruar se vazhdimi i dialogut me Serbinë është hap kyç për normalizimin e marrëdhënieve dhe njohjes reciproke ndërmjet dy shteteve.
Vucic