Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Projektligji për vlerat e luftës së UÇK-së, ndalon mendimin ndryshe dhe paraqet vazhdim të ngacmimeve ndaj serbëve të Kosovës.
Ai ka thënë se, shqetësimet për këtë projektligj, ia ka shprehur edhe të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, duke i kërkuar që ta ketë në konsideratë këtë çështje.
Vuçiq ka thënë se do të shikojë se si do të reagojë Brukseli, duke shtuar se “kjo çështje ka pasoja edhe brenda Prishtinës”.
“Kur i shoh ata që vijnë në bisedime dhe marrin mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare, unë shoh që qëllimi i gjithçkaje është që Serbia ta njohë Kosovën”, ka thënë Vuçiq.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës, të premten do të shqyrtojnë projektligjin për mbrojtjen e vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Qeveria e Kosovës, më 14 korrik ka mbështetur këtë projektligj, duke e proceduar në Kryesinë e Kuvendit të Kosovës.
Projektligji i propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës, parasheh përcaktimin e obligimit institucional dhe qytetar për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së.
Shkelja e dispozitave të këtij ligji sanksionohet sipas legjislacionit në fuqi.
Reagime të komunitetit ndërkombëtar
Komuniteti ndërkombëtar ka shprehur brengosje lidhur me projektligjin për UÇK-në.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Philip Kosnett, ka thënë se Projektligji për mbrojtjen e vlerave të UÇK-së, i cili pritet të shqyrohet nga Kuvendi i Kosovës në seancën e së premtes, rrezikon të minojë lirinë e shprehjes.
“Përveç kësaj, ligji do t’ia çelte rrugën legjislacionit që do të penalizonte format e tjera të lirisë së shprehjes, duke vënë precedent të rrezikshëm. Penalizimi i kritikës ndaj çfarëdo grupi apo individi është hap i rrezikshëm, edhe nëse nuk është me atë qëllim, drejt autoritarizmit”, ka thënë Kosnett përmes një deklarate.
Ai ka theksuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë “kundër UÇK-së”, dhe përkundrazi e kuptojnë se sot “Kosova nuk do të ishte shtet i pavarur pa përpjekjet e UÇK-së dhe organizatave të tjera rezistuese”.
Më 6 gusht, edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, i ka bërë jehonë një postimi të Ambasadës Amerikane të bërë në fund të korrikut, në të cilin kritikohej projekligjit në fjalë.
“Unë ndaj vlerësimin e kolegut tim amerikan. Rrallë herë në një shoqëri demokratike është ide e mirë të përpiqeni të ngufatni diskutimet duke i kufizuar ato përmes ligjit penal”, ka shkruar ambasadori gjerman në Twitter.