Çështja e hapjes së kufijve ka ngritur tensionet në mes të Serbisë dhe Malit të Zi për shkak se Podgorica zyrtare ka marrë vendim për mos hapje të kufijve me Serbinë, raporton Gazeta Express.
Për një gjë të tillë sot ka folur edhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vucic, duke thënë se një vendim i tillë i Malit të Zi është politik, por kreu i shtetit serb ka thënë se pavarësisht një vendimi të tillë, Serbia nuk do të mbyll kufijtë e saj.
“Ne nuk do të futemi në një baltë të tillë”, ka thënë Vuçiq në një konferencë për media.
Në këtë konferencë kreu i shtetit serb ka folur gjithashtu edhe për dialogun për normalizim të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se s’është caktuar ndonjë datë për rifillim të negociatave dhe se nuk ka ndonjë afat se deri kur duhet të arrihet një marrëveshje finale mes dy shteteve.
Këto deklarata Vuçiq i ka bërë kur është pyetur rreth raportimeve në media se “Grenell është duke u nxituar” dhe se dëshiron që sa më shpejtë të arrijë një marrëveshje.
Presidenti serb ka thënë se Përfaqësuesi Special Presidencial ka mohuar ekzistencën e një afati kohor për arritjen e marrëveshjes.
Ai ka thënë se nëse do të ketë diçka do të informohen të gjithë.
“Nëse do të ketë diçka për ndonjë bisedë, do të iu informojmë. Unë mezi pres që t’ua them diçka të tillë. Kurrë nuk i kam ikur përgjegjësisë dhe gjithmonë kam dalë përpara qytetarëve me të vërtetën”, ka thënë Vuçiq.
Presidenti serb ka folur edhe rreth paralajmërimeve të Kosovës për vendosje të masave shtesë në fushën e tregtisë nga 15 qershori, duke thënë se një paralajmërim i tillë është i ndërlidhur me luftën e brendshme politike që po bëhet në Prishtinë.
“Po përpiqem të dëgjojë mesazhet që vijnë nga Prishtina çdo ditë dhe të kuptoj se çfarë ata duan. Ne po bëjmë përpjekje për ndërtim të marrëdhënieve të mira, së pari për shkak të serbëve që jetojnë atje dhe për të pasur një shkëmbim tregtar normal dhe për t’i shërbyer paqes dhe stabilitetit”, ka theksuar ndër të tjera presidenti serb.