Emisari i posaçëm i presidentit amerikan Donald Trump për dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell do të bisedojë të premten me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq.
Pas marrëveshjes për hapjen e linjës ajrore në mes të Beogradit dhe Prishtinës, prej diplomatit amerikan kërkohet që për një periudhë të shkurtër kohore të sjellë rezultate të reja, shkruan gazeta serbe “Novosti”.
Trumpi, Grenellin, së bashku me këshilltarin e tij për siguri kombëtare Robert O’Brien, e ka quajtur si meritor për hapjen e linjës ajrore në mes të këtyre dy shteteve.
Vet emërimin e Grenellit, ambasadorit të SHBA në Berlin, për emisarin personal të njeriut të parë të Shtëpisë së Bardhë për çështje të dialogut, e kanë përcjellë komentet se kjo tregon se Uashingtoni dëshiron mbyllje të shpejtë të kapitullit të marrëveshjes në mes Kosovës dhe Serbisë.
Duke e paralajmëruar takimin me Grenellin, presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka thënë për RTS se “Amerika është e gatshme t’i dëgjojë kërkesat e Beogradit kur është fjala për Kosovën”.
“Pozita e Serbisë për çështjen e Kosovës është e vështirë dhe raporti i SHBA ndaj Kosovës është i kundërt nga ai i yni. Nuk them se tani Amerika do të kalojë në anën tonë, siç do të kishte menduar dikush, por janë të gatshëm të dëgjojnë se çfarë mendon Serbia për këtë çështje.
Në këtë kuptim konsideroj se kemi hapur një derë pas të cilës mund të bisedojmë me partnerët amerikanë më hapët se më herët”, ka pretenduar Vuçiq.