Policia e Kosovës, njësiti policor i Drejtorisë Rajonale në Prizren derisa ishte në realizim të detyrave policore, sot në orët e mbrëmjes në Lagjen e Trimave në Prizren ka hasur në personin e dyshuar B.Sh. me pseudonimin “Qorri”, i cili ishte në kërkim me urdhër-arrest për vepër penale tentim-vrasje.
Personi i dyshuar në momentin kur ka vërejtur njësitin policor, ka filluar të shtie me armë zjarri në drejtim të zyrtarëve policorë, të cilët në vetëmbrojtje janë detyruar t’i kundërpërgjigjen me armë zjarri, të cilët janë mbështetur edhe nga njësitet speciale të PK-së
Nga shkëmbimi i armëve të zjarrit është plagosur personi i dyshuar, të cilit i është ofruar ndihma mjekësore dhe menjëherë është dërguar për trajtim mjekësor në qendrën spitalore, ku nga mjekët kompetentë është konfirmuar se personi i dyshuar nga plagët e marra ka ndërruar jetë.
Në vendin e ngjarjes është gjetur një armë e zjarrit-pistoletë, me të cilën dyshohet se personi i dyshuar ka shtënë në drejtim të zyrtarëve policorë si dhe dy granata dore.