Disa herë gjatë vitit, kosovarët u tronditën nga vrasjet që ndodhën në vend. Dorasit nuk kursyen plumbat as ndaj anëtarëve të familjes. Bazuar në statistikat e Policisë së Kosovës, në vitin që po e lëmë pas kanë ndodhur 17 vrasje, 10 prej të cilave kanë qenë vrasje të rënda.
Shumica e tyre janë kryer në Prishtinë e Prizren. Express iu sjell rrëfimet për vrasjet që tronditën vendin gjatë këtij viti.
Arjeta Shabani
Ishte mbrëmja e 12 dhjetorit të këtij viti, kur në mes të fshatit Gadime të Lipjanit dhe Kishnapol të Gjilanit, u gjet trupi i djegur i një 32-vjeçari. Viktima doli se ishte Shkodran Bytyqi nga Ferizaj, i cili ishte raportuar si i zhdukur që nga 8 dhjetori.
Bytyqi, i cili ka lënë pas vetes gruan dhe dy fëmijët, dyshohet së është vrarë nga shoku i tij, Trimor Lalinovci.
Sipas Prokurorisë së Ferizajt, vrasja ka ndodhur shkaku i një borxhi në shumë prej 40 mijë euro, që i dyshuari për vrasje ia kishte viktimës.
Meqë Trimori nuk kishte arritur të siguronte këtë shumë të parave, pas një grindje e kishte qëlluar me armë në kokë nga mbrapa viktimën, duke e lënë kështu të vdekur.
Por, Trimori nuk ishte mjaftuar vetëm me vrasje. Me ndihmën e vëllait, ai dyshohet se edhe e kishte djegur trupin e viktimës.
“…më pas thërret vëllain e tij – të dyshuarin D.L. dhe së bashku e marrin trupin e viktimës dhe e dërgojnë në fshatin Kishnapole, ku e hudhin në një përrockë ku më pas i pandehuri T.L. e spërkat trupin e pa jetë me benzinë dhe ia vë flakën”, thuhet në komunikatën e Gjykatës së Ferizajt.
Ndaj dy të dyshuarve, Gjykata e Ferizajt ka caktuar masën e paraburgimit prej një (1) muaj.
Por, kjo nuk është vrasja e vetme që ndodhi gjatë 2019’ës. Në korrik të këtij viti ndodhi një vrasje në Fushë Kosovë.
Para një banese në këtë qytet, u gjet trupi i pajetë i 9-vjeçarit, K.Veseli. Vrasja e të miturit u konsiderua si ndër më të rëndat që kanë ndodhur në Kosovë.
Ai dyshohet se u dhunua, e pastaj u godit me mjete të forta nga një 19-vjeçar, po ashtu nga Fushë-Kosova.
Viktima dyshohet se ishte dhunuar seksualisht tri herë nga i dyshuari për vrasje.
Në dy rastet e dhunimit, Veseli bashkë me nënën e tij, Makfiren, rastin e kishin raportuar në polici, por që organet e hetuesisë nuk kishin marrë asnjë veprim për të dyshuarit.
Policia ishte mjaftuar vetëm me një kallëzim penal ndaj 19-vjeçarit, i cili ishte ngritur në prillin e këtij viti.
Qytetarët u tronditën edhe nga vrasja që ndodhi në gusht të këtij viti në Prizren. 48 vjeçarja, Armenda Aliu mbeti e vdekur nga 15 plumbat që u shkrepën nga bashkëshorti i saj.
Gjithçka nisi pas një zënke mes çiftit që po qëndronin në shtëpinë e tyre në Prizren disa ditë pas kthimit nga Zvicra.
61-vjeçari, Bajram Veliaj, dyshohet se e goditi aq shumë gruan e tij, saqë asaj filloi që t’i rrjedhë gjak nga veshi.
Në këtë gjendje, Armenda, e telefonoi një familjar të sajin ku i tregoi për zënkën dhe i kërkoi që t’ia thërras një taksi me të cilin do të nisej për në Prishtinë.
Por, rruga nga shtëpia deri tek taksia doli të jetë fatale për 48-vjeçaren. Ajo, me paramendim u ndoq nga bashkëshorti i saj, Bajrami, i cili gjuajti me aq plumba sa kishte viktimën.
E menjëherë pas aktit të rëndë, ai e kishte lajmëruar Policinë e Kosovës duke u thënë “E kam vrarë gruan”.
Policia në vendin e ngjarës kishte shkuar pak pas orës 23:00 të mbrëmjes, dhe kishte konfiskuar 15 gëzhoja të plumbave, me të cilët dyshohet të ishte kryer ngjarja e rëndë.
Bajram Veliaj nuk është i vetmi që shtiu në drejtim të familjarëve të tij.
Vrasje brenda familjes kishte ndodhur edhe në Prishtinë para më shumë se gjashtë muajsh.
Të hënën e 22 prillit, banesa e familjes Krasniqi në lagjen “Dardania” u mbulua e tëra me gjak. Po atë ditë, aty ndodhi një nga vrasjet më të rënda në vend gjatë viteve të fundit. Të vdekur mbetën tre anëtarë të kësaj familje.
Kryefamiljari Hasan Krasniqi ua mori jetën gruas së tij, Hysnies dhe nuses së djalit, Remzies dhe më pas edhe vetës. Ai dyshohet se vrau gruan dhe renë vetëm pse dolën në qytet për të pirë kafe.
61-vjeçari kishte qenë i njohur për organet e rendit, pasi që siç kishte mësuar Express para dy viteve gruaja e tij e kishte lajmëruar në polici për tentim vrasje. Të njëjtit Gjykata Themelore ia kishte ndaluar që t’i afrohej bashkëshortes më shumë se 50 metra.
Gjykata pati vendosur njëjtë edhe për fëmijët e tij, por kjo masë kishte ndryshuar pasi që fëmijët pas pajtimit me të atin kishin kërkuar ndryshimin e masës në Gjykatë të Apelit.
Një vrasje e ngjashme kishte ndodhur edhe në Gjakovë gjatë vitit të kaluar.
Koridori i shtëpisë së familjes Marku nga Gjakova, u mbulua me gjakun e vajzës dhe mbesës së tyre.
Valbona Ndrecaj bashkë me vajzën e saj u vranë me breshëri plumbash kallashnikovi nga bashkëshorti i saj, Pjetër Ndrecaj.
Vrasjes së dyfishtë që tronditi Gjakovën, dyshohet t’i ketë paraprirë një konflikt i mëhershëm mes çiftit.
Çifti kishin 16 vjet martesë, por pas një konflikti ishin ndarë, ani pse nuk ishin divorcuar ligjërisht. Ata kishin pesë fëmijë, tre prej të cilëve jetonin me Valbonën, e dy të tjerët jetonin me Pjetrin.
E se diçka e tillë do të ndodhte, ishte e njoftuar edhe Policia e Kosovës. Pak orë para se të kryente vrasjen, dorasi e kishte kërcënuar viktimën përmes një mesazhi. Por, edhe ishin të njoftuar për këto kërcënime, Policia nuk arriti që ta parandalojë këtë tragjedi.
E këto nuk janë rastet e vetme të vrasjeve të rënda që kanë ndodhur gjatë këtij viti.
Sipas statistikave të Policisë së Kosovës, që ka siguruar Gazeta Express, vetëm gjatë këtij viti kanë ndodhur 17 vrasje, 10 prej të cilave kishin qenë vrasje të rënda.
Bazuar në këto të dhëna, shumica e këtyre vrasjeve kanë ndodhur në Prishtinë dhe Prizren. Ndërkohë, në qytetin i cili më parë përmendej për vrasjet e shumta që ndodhnin, gjatë këtij viti nuk është kryer asnjë vrasje.
Ndërkohë, në Shërbimin Korrektues të Kosovës kishin deklaruar se në vuajtje të dënimit për këtë vepër nëpër burgjet e vendit janë më shumë se 100 persona.
Zëdhënësi i SHKK’së, Florent Gashi i ka thënë Gazetës Express se deri në maj të këtij viti në vuajtje të dënimit për vrasje të rëndë ishin rreth 170 persona.
Gashi kishte treguar se për këtë vepër janë të dënuar persona nga mosha 18 vjeç e deri në 75 vjeçar, dhe se vijnë nga regjione të ndryshme të vendit.
“Aktualisht, për veprën penale, “Vrasje e Rëndë”, nëpër institucionet korrektuese po vuajnë dënimin 169 persona. Për veprën penale, Vrasje e Rëndë, mosha e të burgosurve është e moshave të ndryshme, nga 18 vjeç deri në 75 vjeçar , dhe vijnë nga regjione të ndryshme të vendit”, kishte thënë Gashi.
Në këtë institucion deklarojnë se motivet e këtyre vrasjeve kanë qenë kryesisht hakmarrja, shkaqe pronësore dhe konfliktet mes dy grupeve.
“Kanë qenë kryesisht motive për hakmarrje, shkaqe pronësore, konflikte mes dy grupeve dhe motive të ulëta”, thuhet në përgjigjet e Gashit drejtuar Gazetës Express.
Ndryshe, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, kushdo që kryen vrasje të rëndë dënohet me burgim jo më pak se 10 vite ose burgim të përjetshëm