Këtu mund t’i gjeni të gjitha lajmet nga Kuvendi i zgjedhjes së kryetarit të LDK-së, të përditësuara në kohë reale. Bashkë me raportimet e gazetarëve të Gazetës Express, gjeni edicionin special të Televizionit 7.
Votat për kryetar të Lidhjes Demokratike të Kosovës po numërohen nën vëzhgimin e një kamere gjigante.
Kamera, siç shihet në foto, është e vendosur përmbi komisionin që po i numëron votat, duke incizuar çdo detaj.
(12:58) Po numërohen votat në LDK
Po numërohen votat e delegatëve në Kuvendin Zgjedhor të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Renditja në fletëvotim është si vijon: 1. Lumir Abdixhiku; 2. Lutfi Haziri; 3. Besian Mustafa.
(12:55) Përfundon votimi për kryetar të LDK-së
Ka përfunduar votimi i delegatëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës për të zgjedhur liderin e ri të partisë.
328 delegatë të LDK-së sot në Kuvendin e partisë kanë hedhur votën e tyre të fshehtë.
Në garë për të parin e LDK-së ishin Lutfi Haziri, Lumir Abdixhiku dhe Besian Mustafa. Votimi i delegatëve është parë si votim i rregullt dhe pa ndonjë incident të mundshëm. Garën për kryetar të LDK-së ditë më parë e bëri publike edhe Anton Quni, por që i njëjti sot u tërhoq nga ky kandidim.
“Ka përfunduar votimi i të gjithë delegatëve. Më pas duhet të shihet se si kanë qenë votat dhe të shihet a duhet të shkojmë edhe në një votim apo jo”, tha Arban Abrashi nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Abrashi theksoi se kutia do të tregojë se kush sa vota ka marrë.
“Kanë qenë diskutime e konsultime në të gjitha degët dhe të gjithë kanë qenë të një mëndje se votimi duhet të jetë i fshehtë dhe kësisoj është bërë. Tash i shohim numrat se kush sa ka marrë.Fillon numërimi i votave, nëse ndonjëri ka marrë mbi 50%, nëse jo atëherë dy që kanë më tepër vota shkojnë në raundin e radhës”, tha ai.
(12:46) Abrashi u propozua si kandidat për kryetar, s’pranoi të garojë
Në Kuvendin e sotëm Zgjedhor të Lidhjes Demokratike të Kosovës, si kandidat për kryetar të LDK-së është propozuar edhe Arban Abrashi, sekretar i përgjithshëm i LDK-së.
Abrashi ka pohuar se një nëndegë e Prishtinës e ka propozuar atë si kandidat për kryetar.
Por Abrashi ka thënë se ka refuzuar t’i hyjë garës.
(12:07) Haziri përqafohet me kundërkandidatët, Mustafa e Abdixhiku s’shihen bashkë
Lidhja Demokratike e Kosovës e zgjedh sot kryetarin e ri të partisë. Nga kjo parti kanë publikuar fotografi nga atmosfera që po mbizotëron në sallën ku po votohet për kryetarin e ti.
Në fotografitë e publikuara, Lutfi Haziri shihet duke i përqafuar të dy kundërkandidatët e tij, Lumir Abdixhikun e Besian Mustafën. Por këta dy të fundit, të cilët janë përqafuar me Hazirin, nuk shihen së bashku në asnjë fotografi, raporton Gazeta Express.
Abdixhiku para disa ditësh ka thënë se është befasuar nga kandidimi i Besian Mustafës për kryetar të partisë.
Për supozimet se po kandidon për kryetar për t’i prishur punë Lumir Abdixhikut në garë, Besian Mustafa ka reaguar sot në Facebook, duke thënë se s’mund t’ua marrë LDK-në atyre së s’ishin kurrë në LDK.
“Vetëvendosje na i morri mbi 100 mijë vota. Asnjë fjalë, asnjë reagim në LDK. Kur unë shpalla kandidaturën, dolën forca jashtë LDK-së që më sulmuan, më shanë, më ofenduan, më linçuan sepse kandidatura ime po i marrka dikujt ndonjë votë. Sikur kandidatura e Besianit në LDK qenka krim! Asnjë fjalë, asnjë reagim në LDK. U çuan njerëz që s’kanë asgjë të përbashkët me LDK-nëkinse ta mbrojnë LDK-në nga Besiani. Sepse Besiani po ua marrka LDK-në atyre që shanë e linçuan me dekada LDK-në, atyre që kurrë nuk ishin në LDK. Asnjë fjalë, asnjë reagim në LDK. Heshtje dhe vetëm heshtje në LDK. Prandaj, kam kandiduar. T’ju detyroj ta thyeni heshtjen”, ka shkruar Mustafa. /Express/
(12:07) Haziri voton: Votimi i fshehtë duhet të vazhdojë deri në fund
Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar, Lutfi Haziri ka thënë se sapo ka votuar për kryetarin e ri të partisë. Ai ka thënë se procesi i votimit të fshehtë duhet të shkojë deri në fund, qoftë edhe nëse ka nevojë për raund tjetër të votimit, raporton Express.
“Procesi i votimit të fshehtë duhet të shkojë deri në fund, qoftë edhe me një raund tjetër”, ka thënë Haziri.
Ai i ka hedhur poshtë hipotezat se mund të ketë ndonjë marrëveshje në mes të procesit të brendshëm zgjedhor.
Ai ka folur edhe për dy kundërkandidatët e tij, teksa ka thënë se është i lumtur me sjelljen e tyre.
“Jam i lumtur dhe krenar me sjelljen. Lumiri dhe Besiani janë miq të mirë. Janë emra kredibilë për me udhëheq LDK-në”, ka thënë Haziri.
Ai ka thënë se “koha në LDK është me punu”.
(11:52) Selmanaj: Kryesia e LDK’së nuk do të ndikojë në zgjedhjen e kryetarit të ri
Ish-kryetari i LDK-së, Fatmir Sejdiu, ka kritikuar sot procesin zgjedhor të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Ndërsa, kjo e fundit sot do të zgjedhë kryetarin e ri të partisë.
Me këtë rast, zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Driton Selmanaj, ka thënë për media se kryesia e LDK’së nuk ka ndikim në zgjedhjen e kryetarit të ri të këtij subjekti.
Ai ka thënë se ish-kryetari Isa Mustafa e ka lëshuar sallën, andaj edhe ka mohuar ndikimet në zgjedhjen e kryetarit të ri.
“Ne kemi në garë tre kandidatura, secili më i mirë se tjetri. Kështu duhet të shihet, si atmosferë shumë pozitive. Ne i miratojmë të gjitha kandidaturat që janë. LDK ka një statut të konsoliduar dhe dekomraktik. Po të kishte edhe kandidatura tjera, do të merrnin përkrahje. Për ndikimin nga kryesia, nuk ka kjo asnjë kuptim. Kryetari e lëshoi sallën”, deklaroi ai
(11:43) Mustafa u reagon zërave se kandidoi t’i marrë vota Abdixhikut: Besiani po ua marrka LDK-në atyre që kurrë nuk ishin në LDK
Kandidati për kryetar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, ka bërë një postim në rrjetin social “Facebook”, ka thënë se kandidimi i tij është për ta thyer heshtjen. Mbi 330 delegatë nga 38 degë të LDK-së nga të gjitha komunat do të vendosin për të parin e partisë me anë të votës së fshehtë.
Mustafa përmes këtij postimi ka thënë se Vetëvendosja i morri LDK mbi 100 mijë vota dhe nuk kishte asnjë fjalë e asnjë reagim në parti.
Ndërsa ai ka treguar se në momentin kur është shpallur kandidatura e tij, forca jashtë partisë e sulmuan, ofenduan dhe linçuan kinse kandidatura i tij do të marrë vota ndonjërit nga kandidatët.
“Vetëvendosje na i morri mbi 100 mijë vota. Asnjë fjalë, asnjë reagim në LDK. Kur unë shpalla kandidaturën, dolën forca jashtë LDK-së që më sulmuan, më shanë, më ofenduan, më linçuan sepse kandidatura ime po i marrka dikujt ndonjë votë. Sikur kandidatura e Besianit në LDK qenka krim! Asnjë fjalë, asnjë reagim në LDK. U çuan njerëz që s’kanë asgjë të përbashkët me LDK-nëkinse ta mbrojnë LDK-në nga Besiani. Sepse Besiani po ua marrka LDK-në atyre që shanë e linçuan me dekada LDK-në, atyre që kurrë nuk ishin në LDK. Asnjë fjalë, asnjë reagim në LDK. Heshtje dhe vetëm heshtje në LDK. Prandaj, kam kandiduar. T’ju detyroj ta thyeni heshtjen”, ka shkruar ai.
(11:36) Quni: Do ta mbështesim liderin e ri të LDK’së, gara e sotme do të jetë interesante
Anton Quni është tërhequr nga gara për ta marrë udhëheqjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës, raporton Gazeta Express.
Ndërsa, të gjitha kandidaturat për kryetar të LDK-së kanë kaluar me miratimin e delegatëve në Kuvendin Zgjedhor të kësaj partie.
Kandidaturat që kanë kaluar në Kuvend janë ato të Lutfi Hazirit, Lumir Abdixhikut e Besian Mustafës.
Derisa është tërhequr nga gara për të marrë udhëheqjen e LDK’së, Quni nuk ka pranuar të tregojë se për kë do të votojë.
Ai ka thënë për T7 se kjo është arsyeja që kanë insistuar që vota të mbetet e fshehtë.
Quni ka thënë se gara e sotme do të jetë interesante, dhe se do t’i qëndrojnë prapa me mbështetje liderit të ri të partisë.
“Kushdo që zgjidhet lider ne do t’i qëndrojmë prapa për ta mbështetur. Të tre janë personalitete me kredibilitet të dëshmuar dhe do të jetë një garë interesante. Pres që LDK të jetë në hapë me kohën, me trendet e përgjithshme dhe kjo ta faktorizojë LDK’në”, ka shtuar ai.
(11:24) Fatmir Sejdiu flet rreth largimit të Vjosa Osmanit
Ish-kryetari, Fatmir Sejdiu ka kërkuar sot zgjedhje në të gjithë strukturat e LDK’së, e që kërkesa e tij nuk ka kaluar, po ashtu ai ka folur edhe rreth largimit të Vjosa Osmanit, raporton Express.
Sejdiu ka thënë se secili anëtar i Lidhjes Demokratike që nuk është më në këtë parti është një mungesë e madhe.
“Vjosa ka pas një marrëveshje që dihet, ka qenë pjesë e atij konsensusit që të jetë kryeministre e vendit, nuk ka ndodh ajo, natyrisht ka gjete një rrugë tjetër një qasje tjetër, por jo vetëm Vjosa që është në atë pozicion por secili anëtarë i LDK’së është një mungesë për fuqinë e Lidhjes Demokratike”, tha Sejdiu.
(11: 20) I refuzohet kërkesa për zgjedhje të jashtëzakonshme në tërë LDK’në, deklarohet për media Sejdiu
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) po mban Kuvendin Zgjedhor për kryetarin e ri të partisë, raporton Gazeta Express.
Me këtë rast, ish-kryetari i LDK’së, Fatmir Sejdiu, ka kërkuar sot zgjedhje në të gjithë strukturat e LDK’së, por që kërkesa e tij është refuzuar.
Sejdiu ka pasur kritika për këtë subjekt, e për statusin e LDK’së, që sipas tij ia ka zënë frymën LDK’së dhe ka degjeneruar proceset zgjedhore.
“Nuk janë respektuar rregullat statutare që ka LDK’ja. Po bëhen dy vjet në verë që LDK’ja ka pasur një proces zgjedhor, ka zgjedhur kryetarin e saj, dhe nuk ka lejuar një proces të votimit të fshehtë të kandidatëve, kjo nga frika e rezultatit për votat e fshehta. Ne kemi statusin që ia ka zënë frymën LDK’së dhe e ka degjeneruar, sidomos në proceset zgjedhore. Kanë dërguar lista kush do të jetë delegatë nëndege dhe në Kuvend. LDK’ja ecjen e saj do të duhej ta zhvillonte në bazë të një procesi zgjedhor ferr që do të zhvillohej”, ka deklaruar ai.
(11:14) Kalojnë të gjitha kandidaturat për kryetar të LDK-së
Të gjitha kandidaturat për kryetar të LDK-së kanë kaluar me miratimin e delegatëve në Kuvendin Zgjedhor të kësaj partie, që po mbahet aktualisht, raporton Gazeta Express.
Kandidaturat që kanë kaluar në Kuvend janë ato të Lutfi Hazirit, Lumir Abdixhikut e Besian Mustafës.
Mbi 330 delegatë nga 38 degë të LDK-së nga të gjitha komunat janë mbledhur sot për ta dhënë votën e tyre. Siç parasheh statuti, vetëm brenda Kuvendit zyrtarisht është bërë e ditur se kush janë kandidatët.
Në organin më të lartë të LDK-së, që e përbëjnë delegatë të zgjedhur nga kuvendet e degëve, plus kryetari i subjektit [Isa Mustafa], mund të kalojnë vetëm ato kandidatura që marrin fillimisht aprovimin e delegatëve.
Në mënyrë që të konfirmohet si kandidat për kryetar, secilit prej pretendentëve u është dashur t’i marrin 50% plus një të votave të delegatëve.
(11:01) Isa Mustafa del nga salla ku po zgjedhet kryetari i ri: Dhashë dorëheqje të parevokueshme
Isa Mustafa, sapo ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga pozita e kryetarit të LDK-së.
Kështu ka deklaruar Mustafa para mediave, në ditën kur pritet të zgjedhet kryetari i ri i LDK-së.
“Dëshiroj të ju njoftoj se porsa dhash dorëheqje nga pozita e kryetarit të LDK-së, dorëheqja ishte e parevokueshme. Falënderova strukturën për punën 10-vjeçare, kam pas besim, e kam besim edhe sot se ky kuvend do të nxjerr një kryetar që do ta çojë LDK-në përpara..Si parti e të gjithë gjeneratave, që kultivon partneritet me SHBA-në e BE-në, e cila në asnjë rast nuk duhet t’i mungoj skenës politike të Kosovës”, deklaroi Mustafa ndër të tjera, transmeton Gazeta Express.