Kanë kaluar më shumë se një muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe procesi ende nuk është përmbyllur. Më shumë se gjysma e vendvotimeve janë duke u rinumëruar, një proces ky që do të zgjasë me javë dhe rrjedhimisht do të zvarrisë edhe procesin e formimit të qeverisë së re.
Njohës të çështjeve politike në Kosovë në vazhdimësi kanë tërhequr vërejtjen për zvarritje të procesit të certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të gjashtë tetorit, duke nënvizuar se një zvarritje e tillë mund të sjellë boshllëk institucional në Kosovë.
Drejtoresha e Grupit për studime juridike dhe politike, Arbresha Loxha thotë për Zërin e Amerikës se në çdo proces zgjedhor partitë
politike janë munduar të shfrytëzojnë periudhat e ndryshme të procesit për ta zvarritur arë dhe pastaj prodhon boshllëk institucional.
“Kjo pengon jetën institucionale pra paralizon jetën institucionale në Kosovë, pengon zhvillimin ekonomik dhe social por edhe ndikon në jetën e përditshme të secilit qytetar të Kosovës. Duhet theksuar se ky jo stabilitet na vjen edhe si pasojë e ndërtimit të qeverive mbi baza e interesave partiake dhe pazareve politike dhe jo mbi një program të mirëfilltë politik”, tha zonja Loxha.
Analisti, Arton Demhasaj thotë se një vonesë e tillë e krijimit të një qeverie të re mund të ketë pasoja në shumë aspekte.
“E para ne tashmë jemi në një qeveri në dorëheqje që nga korriku i këtij viti dhe me gjasë qeveria e re mund të mo krijohet deri në janar, pra një vend si Kosova që është vend në zhvillim madje me një zhvillim shumë të ngadalshëm ekonomik dhe me shumë probleme tjera, pa një qeveri me kompetenca të plota për një kohë kaq të gjatë mund të ketë pasoja edhe në aspektin e zhvillimit ekonomik por edhe njëkohësisht të stagnimit të Kosovës në konsolidimin e saj në aspektin e marrëdhënieve ndërkombëtare”, tha zoti Demhasaj.
Analistët thonë se zvarritja e procesit të ngritjes së institucioneve të reja krijon pasoja të shumta për vendin, posaçërisht në marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës, e cila po përballet me sfida të shumta që nga bisedimet e deri fushata e Serbisë për heqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës.
“Sa më shumë që të shtyhet ky proces në një mënyrë e vonon edhe procesin e dialogut edhe të gjithë presin pak a shumë që në pranverë mund të ketë një marrëveshje potenciale sidomos tash pas angazhimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës pak më intenzivisht në këtë proces kështu që çdo vonesë mund të vonoj edhe procesin e dialogut dhe vonesa e tillë mund të ketë pasoja edhe të anëtarësimit të Kosovës në strukturat e ndryshme ndërkombëtare por njëkohësisht edhe në zgjerimin e njohjeve edhe shumë aspekte tjera ndërkombëtare”, tha zoti Demhasaj.
“Për shkak se ne veç jemi në dizavantazh diplomatik karshi ofensivës së Serbisë me tendencë për të mos lejuar konsolidimin e shtetësisë së Kosovës pra tërheqjen e njohjeve dhe pengimin e anëtarësimit të Kosovës në mekanizma ndërkombëtarë”, tha zonja Loxha.
Vëzhguesit thonë se Kosova është karakterizuar viteve të fundit me mungesë të qëndrueshmërisë politike si pasojë e siç thonë mungesës së seriozitetit të partive politike për të tejkaluar interesat e ngushta partiake. Ata thonë se mënyra e lidhjeve të koalicioneve paszgjedhore do të përcaktojnë edhe kohën se sa do të mund qeveria e ardhshme të çojë deri në fund mandatin katër vjeçar, gjë që nuk ka ndodhur me katër qeveritë e kaluara.