Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, në zgjedhjet e e jashtëzakonshme parlamentare të 14 shkurtit doli si politikanja më e votuar.
Të enjten, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli rezultatet përfundimtare të zgjedhjve, ku u bë e ditur se Vjosa Osmani ka marrë gjithsej 300 mijë e 788 vota, duke u bërë kështu politikanja e dytë më e votuar në historinë e zgjedhjeve në Kosovë, pas ish-presidentit, Ibrahim Rugova, shkruan Reporteri.net.
Në kohën kur zgjedhjet mbaheshin me lista të mbyllura dhe votat që merrte partia i shkonin drejtpërdrejt liderit të partisë, Rugova, kishte marrë gjithsej 359 mijë e 851 vota apo 45.65 % që ishte përkthyer në 47 deputetë në Kuvendin e Kosovës.
Në zgjedhjet e 14 shkurtit, Osmani vendosi që të garojë në një listë të përbashkët me Lëvizjen Vetëvendosje, ku vetë u pozicionua në numrin 2 të listës, duke lënë prapa vetës edhe Glauk Konjufcën e figura tjera kyçe të VV-së.
Osmani në legjislaturën e tetë të Kuvendit të Kosovës do të jetë vetë e shtata, pasi që nga lista e saj ‘GUXO’, përveç Osmanit kanë siguruar nga një ulëse në Kuvend edhe gjashtë kandidatë të tjerë për deputetë.
Vjosa Osmani, Donika Gërvalla, Faton Peci, Haxhi Avdyli, Doarsa Kica, Jeta Statovci dhe Burim Karameta do të jenë pjesë e Kuvendit brenda grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.