Mbi dy milionë euro janë “avulluar” nga Ministria e Financave.
Parat janë tërhequr nga Thesari i Shtetit i kësaj ministrie, e të cilat nuk dihet ende se ku kanë përfunduar.
E konfirmuar deri tani është se disa nga paratë janë transferuar jashtë vendit.
Policia e ka konfirmuar “avullimin” e këtyre parave.
“Prishtinë 09.10.2020. Me 20.10.2020 23:35 pas hetimeve të zhvilluara është arritur të arrestohet një i dyshuar m/k dhe dy të tjerë gjenden në arrati. Të dyshuarit dyshohet se duke keqpërdorur detyrën zyrtare duke përdorur thesarin shtetëror të Republikës së Kosovës kanë transferuar para në vlerë 2.077.995.90 milion euro”, thotë policia në raportoin 24 orësh.
Më tej policia thotë se një pjesë e këtyre parave janë transferuar jashtë vendit.
“Është kërkuar bllokimi i llogarive pasi që dyshohet se një pjesë e parave janë transferuar jashtë vendit”, thuhet në njoftim.
Policia thotë se janë bërë bastisje të shtëpive të dyshuarve, nuk është gjetur asgjë vetëm është konfiskuar një veturë pronë e njërit nga të dyshuarit.
“Me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, njofton policia.
Ministria e Financave ka thirrë konferencë për media për këtë rast.
“Ju ftojmë që sot në ora 15:45 të merrni pjesë në Konferencën për Media të Ministrisë së Financave. Konferenca për Media do të mbahet në sallën e Konferencave të Qeverisë – P32”, thuhet në njoftim.