Një rast i veprës penale ‘vjedhje e rëndë’ është raportuar në orët e mëngjesit të sotëm në Stacionin Policor në Mitrovicë, ku si rezultat i hetimit hetuesit policore kanë arritur të identifikojnë dhe të arrestojnë një person të dyshuar për veprën penale ‘vjedhje e rëndë’.
Lajmin e ka konfirmuar për Gazetën Express zëdhënësi i policisë në rajonin e Mitrovicës , Avni Zahiti.
“Arrestimi i të dyshuarit është bërë mbi dyshime të arsyeshme dhe provave të siguruara se gjatë natës të datës 20 maj 2020, në rrugën
‘Mbretëresha Teutë’’ në një dyqan kishte kryer veprën penale ‘vjedhje e rëndë’, me ç’rast nga dyqani ka vjedhur një sasi të konsiderueshme të cigareve.
Si pjesë e ndërveprimeve hetimore është realizuar edhe bastisje në banesën e të dyshuarit, ku në cilësi të provave materiale janë gjetur dhe sekuestruar mallrat e vjedhur, ndërsa pas procedurave të nevojshme i janë kthyer pronarit”, ka thënë ai.
Pas procedurës së intervistimit, të dyshuarit K. I., 21 vjeçar, i është caktuar masa e ndalimit policor .