Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia ka kërkuar nga Qeveria që të shpallë gjendje emergjente për shëndetin publik.
Kjo për shkak se tashmë janë konfirmuar edhe katër raste të reja me virusin COVID-19.
Vitia saktësisht tha se bazuar në situatën e krijuar posa ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti që të propozojë shpalljen e emergjencës për shëndetin publik, transmeton Indeksonline.
Postimi i plotë:
Të nderuar qytetarë,
Para pak minutash bazuar në rezultatet e testimeve u konfirmuan edhe katër raste reja pozitive me virusin SARS-CoV-2 (coronavirus).
Tri raste nga Komuna e Malishevës, që të tre persona kontakti të një pacienteje të diagnostikuar pozitive me COVID-19, me datë 14.03.2020 dhe rasti i katërt është personi nga Komuna e Podujevës. Përfshirë edhe rastet e mëhershme, tani më në Kosovë kemi të konfirmuara 9 raste pozitive me COVID-19.
Bazuar në situatën e krijuar dhe me qëllim të ruajtjes së shëndetit të popullatës, porsa kërkova nga Kryeministri, Albin Kurti, që t’i propozojë Qeverisë shpalljen e emergjencës për shëndetin publik.
Të dashur qytetarë ju ftojmë të bashkëpunojmë në menaxhimin e kësaj situate. Kjo duke ndjekur rekomandimet nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, si dhe duke qëndruar në shtëpitë tuaja, që të kujdesemi për shëndetit njëri-tjetrit. Reduktoni daljet veç në raste emergjente.
Ju faleminderit për mirëkuptim!