Sot në fshatin Letnicë të Vitisë, është bërë përurimi i rrjetit të ujësjellësit. Ky projekt është realizuar në bashkëpunim të komunës së Vitisë me Dorsch/CDI dhe është financuar nga qeveria zvicerane dhe e Kosovës por edhe nga komuna e Vitisë. Fillimisht në Viti, është bërë nënshkrimi i marrëveshjes trepalëshe në mes të komunës, fshatit Letnicë dhe Kompanisë Rajonale të Ujërave ” Hidromorava”-Gjilan pasi që menaxhimi i ujit në këtë lokalitet do të merret nga KRU “Hidromorava”
Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti me rastin përurimit të këtij projekti, ka potencuar se pas rregullimit të rrjetit të ujësjellësit banorët e këtij fshati do të kenë qasje në ujë të pijes. Ai potencoi se komuna e Vitisë, në bashkëpunim me partnerët e saj po punon edhe në lokalitete të tjera për të sigurohet furnizimi i me ujë të pijes dhe që më pas menaxhimi i ujit të bëhet nga Kompania Hidoromorava në Gjilan. Ai gjithashtu tha se pos projektit të sigurimit të ujit të pijes për banorët e këtij lokaliteti më parë janë realizuar edhe shumë projekte të tjera në fushat e ndryshme që sipas tij kanë për qëllim rritjen e cilësisë së jetesës në këtë fshat.
Edhe famullitari i kishës katolike në Letnicë, Dom Marjan Demaj dhe Kryetari i fshatit Letnicë, Shin Gjoni kanë përgëzuar të gjithë ata që kanë mundësuar realizimin e këtij projekti për banorët e fshatit Letnicë, në veçanti ata falënderuan kryetarin Haliti, për përkushtimin e tij që të përmirësoj kushtet për jetesë të qytetarëve të këtij lokaliteti.
Përndryshe ditë më parë është bërë edhe përurimi i ndërrimit të gypit të asbest betonit nga Fabrika e Përpunimit të Ujit në Letnicë deri në qytetin e Vitisë ku furnizohen me ujë shumë banorë të kësaj komune. Gjithashtu ditë me parë u bë edhe përurimi i ujit të pijshëm në fshatin Gërmovë. Sipas zyrtarëve komunal do të vazhdohet me realizimin edhe të shumë projekteve të tjera në sigurimin e ujit të pijshëm për banorët.