Ushtruesja e detyrës së shefes së Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se do të vazhdohet me iniciativën për ndryshime në Ligjin për Zgjedhje pavarësisht dështimit të sotëm që të votohet në Kuvend me procedurë të përshpejtuar.
Kusari-Lila ka thënë se kjo iniciativë nuk do të përmbyllte reformën zgjedhore por vetëm do ta niste atë.
“Ne do të vazhdojmë me këtë iniciativë. Kjo nuk do ta përmbyllte reformën zgjedhore por vetëm do ta niste atë duke ia ofruar një të drejtë të mohuar diasporës sonë”, është shprehur ajo.
Ajo ka folur edhe lidhur me kushtëzimin e votës së LDK-së për presidenten me tërheqjen e Ligjit duke thënë se kjo flet më shumë për ata që e japin një kushtëzim të tillë.
“Kushtëzimi i zgjedhjes se presidentit me kushtin që të tërhiqemi me një iniciative flet shumë më tepër për ata që e bëjnë këtë kusht se sa për neve. Ata po na tregojnë që ne na kushtëzojnë me një proces që mund të përfundojë me zgjedhje në mes të pandemisë”, ka thënë Kusari-Lila.
Deputeti i LDK-së, Arben Gashi ka thënë sot pas përmbylljes së seancës së jashtëzakonshme për Ligjin për Zgjedhje se LDK-ja nuk merr pjesë në seancën për zgjedhjen e presidentit pa u tërhequr ky ligj.
“Ne nuk do të marrim pjesë në seancë pa u tërhequr ligji. Ne nuk japim ultimatume, është në vullnetin e tyre ata kanë për detyrë që të formojnë institucionet ata duan me u sjellë në mënyrë shantazhuese, ne kemi qenë konstruktiv, kemi thënë që do të marrim pjesë në seancë dhe kemi ofruar gatishmërinë tonë për me zgjedh zgjidhje por nuk duan zgjidhje, atëherë është në autoritetin e tyre ajo se çka duan ata të veprojnë[…]Një parti serioze si LDK është gjithmonë e gatshme për zgjedhje” ka thënë Gashi.