Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se ka nisur mbledhjen e nënshkrimeve për mocionin për rrëzimin e Qeverisë.
Shefi i Grupit Parlamentar të VV-së, Rexhep Selimi në një konferencë për media tha presin që të sigurojnë edhe votat e PDK-së për këtë mocion, ngase sipas tij retorika e deritashme e kësaj partie ka qenë që kjo qeveri të shkojë.
Gazeta Online “Reporteri” ka kontaktuar me kryetarin e grupit parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza për ta pyetur nëse partia e tij do ta mbështet mocionin e VV-së për shkarkimin e Hotit.
“Më janë drejtuar (VV) me shkresë zyrtare si kryetar i Grupit Parlamentar. Do të trajtohet nga strukturat e partisë, dhe në bazë të arsyeshmërisë dhe situatës do të marrim vendim. Kjo çështje në strukturat e partisë nuk është diskutuar”, ka thënë Hamza për Reporteri.net.
I pyetur se a do ta mbështet PDK partinë e Albin Kurtit në rrëzimin e qeverisë Hoti, shefi i deputetëve të PDK-së ka thënë se për këtë vendosin organet drejtuese të partisë.
“PDK do ta shqyrton dhe do të dalë me një qëndrim”, tha Hamza.