Kryesia e Kuvendit sot ka caktuar 3 shkurtin, datën për mbajtjen e seancës plenare për votimin e qeverisë.
Kryetari i Kuvendit, njëherësh nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, tha se ende nuk ka marrëveshje përfundimtare por u shpreh optimist se ajo do të arrihet dhe se askush nuk mund ta ndalë formimin e Qeverisë Kurti.
“Bisedimet po vazhdojnë, nuk ka ende një marrëveshje përfundimtare, por optimist se marrëveshja do të bëhet dhe që askush nuk mund të ndal formimin e Qeverisë Kurti të cilin aq shumë janë duke e pritur qytetarët e Kosovës dhe për të cilin kanë votuar ata me 6 tetor gjatë zgjedhjeve parlamentare që u mbajtën”, tha ai.
Lidhur me këtë, profesori Riza Smaka, ka thënë për gazetën “Bota sot” se derisa është kërkuar seancë për votimin e Qeverisë, tregon se është arritur marrëveshja për koalicion.
“Vetëm fakti se është kërkuar konvokimi i seancës së Kuvendit për zgjedhjen e Qeverisë, tregon mjaftueshëm se është arritur marrëveshja për koalicionin parlamentar ndërmjet LVV dhe LDK-së, eventualisht ndërmjet LVV dhe disa partive politike parlamentare tjera, me të cilat virtualisht do të mund të arrihej shumica kritike e mandateve si për themelim ashtu edhe për funksionim të Ekzekutivit”, është shprehur ai.
Profesori thotë se fajtorë për këtë zhagitje të formimit të Qeverisë janë KQZ-ja dhe LDK-ja me kërkesën iracionale për postin e presidentit.
“Shkaktarë përfundimtarë të zhagitjes iracionale të formimit të Qeverisë deri në këtë moment është KQZ-ja që aplikoi numërime, rinumërime, rinumërime të rinumërimeve të votave në një anë si dhe LDK-ja me kërkesën iracionale për parasigurimin e paragarantimin e postit të Presidentit e cila ishte dhe mbetet pos defekteve tjera edhe e kundërshtueshme me dispozitat e neneve 70 dhe 84 të Kushtetutës”, ka deklaruar Riza Smaka për “Bota sot”