Veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Haki Rushiti ka humbur sot betejën me coronavirusin. Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i PDK-së në Skënderaj, Sami Lushtaku.
“Si pasojë e virusit Covid-19, paska ndërruar jetë Haki Rushiti nga Prekazi. Duke e njohur që nga rinia, Hakiu ishte burrë shumë i mirë e i dashur për të gjithë. Ishte aktivist i palodhshëm e punëtor shumëvjeçar i shkollës “Azem Bejta” në Prekaz”, ka shkruar Lushtaku.
Ai u ka shprhur ngushëllime familjarëve pëpr humbjen e tij.
“Ngushëllimet më të thella për familjen Rushiti por edhe për të gjitha familjet të cilat kanë humbur më të dashurit e tyre si pasojë e pandemisë së shkaktuar nga virusi Korona”, ka shtuar Lushtaku.
Ai në fund ka bërë thirrje që të respektohen rekomandimet e institucioneve shëndetësore për të mbrojtur nga COVID-19.
“Gjatë këtyre ditëve duhet të jemi të disiplinuar duke zbatuar rekomandimet e IKSHPK-së për të bartur maska, duke ruajtur distancën e pastërtinë”, ka shtuar Lushtaku.
Numri i të vdekurve nga virusi në Kosovës sot ka arritur në 114. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë konfirmuar gjashtë vdekje.