Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka biseduar sot me përfawësues të pensionistëve kosovarë ku është interesuar me gjendjen e të moshuarve dhe sfidat me të cilat ata po përballen në këtë kohë pandemie.
Lideri i opozitës i ka siguruar pensionistët kosovarë se nuk do t’i lënë vetëm dhe do të shtyjnë përpara pakon që e ka propozuar PDK për të ndihmuar gjithë shoqërinë në përballje me coronavirus.
Deklarata e plotë e Kadri Veseli:
Sot bisedova në telefon me kryetarin e shoqatës së Pensionistëve Invalidor të Punës, Hamdi Tashollin si dhe me kryetarin e Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës, Shaban Kajtazin, për t’u informuar për gjendjen dhe nevojat aktuale të pensionistëve të Kosovës.
Prej tyre mësova se të moshuarit, janë duke u përballur me sfida të rënda dhe ndihen të lënë anash nga institucionet shtetërore.
Në këtë kohë pandemie, janë pikërisht të moshuarit tanë, ata që kanë më së shumti nevojë, jo vetëm për kujdesin familjar dhe shoqëror, por mbi të gjitha për kujdesin shtetëror. Ata janë më të kërcënuarit nga sëmundja e koronavirusit dhe vuajnë nga mungesa e barnave, lirisë së lëvizjes si dhe nga ngarkesa e tepërt psikologjike.
Kjo është arsyeja pse në pakon emergjente për shpëtimin dhe rimëkëmbjen e ekonomisë, kemi parashikuar një fond të veçantë humanitar që synon të mundësoj ndihmë të posaçme për moshën e tretë. Mes tjerash, është parashikuar edhe mbulimi i plotë i kostos së tyre të barnave gjatë kësaj periudhe.
I sigurova përfaqësuesit e pensionistëve të Kosovës se Partia Demokratike e Kosovës do të vazhdojë t’u gjendet pranë, duke shtyrë përpara deri në miratim pakon ekonomike që kemi propozuar.